“Fatkeqësisht, bashkëqeverisja, pavarësisht se nuk është shfaqur, ka ndodhur”.
Kështu u shpreh Dashnor Sula, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
“Bashkëqeverisja ka të bëjë me marrëveshje të forta që realizon mazhoranca me opozitën dhe që kanë efekte të menjëhershme dhe thelbësore për shoqërinë shqiptare. Dy rastet në vitin 2024 ishin amnistia e famshme penale dhe Kodi Zgjedhor i 26 korrikut 2024. Opozita mori atë që deshi dhe mazhoranca mori atë që deshi”, tha Sula.
“Opozita “de facto” dhe “de jure” dorëzoi pushtetin te Rama me një vendimmarrje të mbylljes së listave, që për opozitën ishte gabimi më i madh. Këto muaj do të shikojmë gjëra të bukura në Parlament, përplasje pushtetesh... Ky bashkëpunim ka nisur që në 21 prill 2008. Jam i vetmi që kam votuar haptazi kundër ndryshimeve kushtetuese, që u zhbë demokracia. Pa u tha flokët e Gërdecit, u bë “martesa” PS-PD”, shtoi Sula.
“Edhe në 26 korrik 2024, jam i vetmi në Parlament nga të Berishës që votova kundër Kodit Zgjedhor. Nuk pashë interesin tim personal, nuk u lëpiva, por nuk votova sepse mendoja se nuk ishte ajo rruga për opozitën. E shitën opozitën dhe ia lanë pushtetin Edi Ramës që në 26 korrik. Kjo është bashkëqeverisja, nuk është vendosja e figurave të opozitës nëpër ministri apo bashki. “Martesa” PS-PD është bërë me bekimin e Sali Berishës dhe Edi Ramës. Është e qartë kjo”, theksoi më tej Sula.
(A2 Televizion)