Reforma në sistemin e ujit e prezantuar nga Kryeministri Edi Rama, për kreun e opozitës është e destinuar të dështojë. Shqetësimin e kryeministrit se ujësjellësit ishin mbushur me militantë dhe të paaftë, lideri i Partisë Demokratike e quan qesharak.
“A ka gjë më qesharake, më të turpshme që të dëgjosh një kryeministër se ujësjellësit, një kryeministër që ka 12 vjet që qeverisë, se ujësjellësit janë mbushur me të paaftë dhe militantë. Kush ja mbushi me të paaftë dhe militantë? Opozita”, tha Berisha, raporton A2 CNN.
Në një konferencë për mediat, Sali Berisha deklaroi se kjo reformuar po bëhet për të grumbulluar pushtet nga Edi Rama dhe jo për të zgjidhur problemin e furnizimit me ujë. “Të mendosh se, tu heqësh bashkive atributet më themelore, furnizimin me ujë dhe pastrimin e qytetit, zgjidhjen e depozitave, do të thotë se je njeriu më i pangopur, që edhe pas çdo kilogrami pleh, sheh diçka të fusësh në xhep”, tha Berisha.
I pyetur për idenë se maxhoranca mund të shkrijë Komsionin e Integrimit, kreu i Partisë Demokratike pohoi se është një përpjekje për të mbyllur zërin e opozitës. “Edi Rama bën gjithçka që të mbyllë kanalet e komunikimit dhe zërin e opozitës. Por të garantoj që është i dështuar dhe do të dështoj. Zëri i opozitës, pavarësisht se do kryesojë apo jo, këtë apo atë komision, do të jehojë më fuqishëm se kurrë ndonjëherë kundër këtij narkodiktatori dhe regjimin e tij...”.
Teksa reformimi i komisioneve të Kuvendit nuk është ende zyrtar, Berisha theksoi se për çdo skenar opozita do të përgjigjet. (A2 Televizion)