Nga fillimi i vitit të ardhshëm, uji i pijshëm do të menaxhohet nga një operator kombëtar, si një mekanizëm që shpresohet se do të optimizojë furnizimin për qytetarët. Pas reduktimit të numrit të shoqërive në vitin 2021, reforma do të vijojë me një fazë të tretë për të ndarë detyrat specifike të këtij operatori, e njëjta procedurë që është ndjekur edhe me sektorin e energjisë.
Kryeministri Edi Rama bëri publike “mëkatet” me të cilat është përballur ky sektor ndër vite: borxhet, paaftësia, politizimi. Kjo reformë do të shoqërohet edhe me masa shtrënguese për të gjithë ata që abuzojnë me ujin e pijshëm, deri në heqjen e lirisë. Edhe në mandatin e katërt, Rama ripërsërit premtimin për heqjen e depozitave mbi pallate, si një rrezik potencial.
Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht edhe drejtuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, tregoi që në këtë projekt të ri, aksionet e bashkisë do të jenë minimale: 5-2% vetëm për hatër që këto burime ndodhen në zonat që ata administrojnë.
Në prezantimin e Operatorit Kombëtar, qeveria premtoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të ujit të pijshëm, ndërsa furnizimi 24 orë me ujë në të gjithë territorin shtyhet për në vitin 2030. (A2 Televizion)