PS i plotëson dëshirën Ramës, 76 vota pro për superkomisionin

Nga Ervin Koçi
27 Maj 2024, 19:16 | Politikë

Me debate nisi dhe me të tilla përfundoi rezoluta antikorrupsion. Nisma e prezantuar nga vetë Edi Rama shkaktoi debate në sallën e Parlamentit ku në finale mori votat e plota të maxhorancës, përveç Mimi Kodhelit dhe Lavdrim Krashit, të cilët nuk ishin në sallë për shkak të angazhimeve jashtë vendit.

Diskutimet për rezolutën zgjatën për mbi 5 orë. Shumica kishte vajtur me fjalime të përgatitura se përse duhet miratuar një akt i tillë. Vetë Edi Rama, pas shumë muajsh, u rikthye të flasë në Parlament, ku mes zhurmës së opozitës i ktheu përgjigje akuzave se shumica kërkon të ndërhyjë në ligjet e reformës.

“Kjo nuk është një luftë vulgare për pushtet”, tha Rama.

Në publik prej tre javësh tashmë është artikuluar se shumica kërkon të ndërhyjë te SPAK, gjë të cilën Rama e hodhi poshtë duke premtuar mbështetje pa kushte ndaj strukturës së posaçme, mbështje të cilën, sipas tij, opozita nuk e ka të sinqertë: SPAK është ilaçi i hidhur, o e pi, ose vdes”.

Opozita, ndonëse e përçarë në ideale, sa me Berishën e sa me Bashën, për këtë çështje ishte e unifikuar, duke akuzuar qeverisjen socialiste si arsye të korrupsionit në vend.

Një pjesë tjetër e opozitës kishte zgjedhur të bënte oponencë simbolike. Në disa mikrofonë, deputetët e opozitës kishin ngjitur fotografinë e Sali Berishës me mesazhin “Lironi Berishën”, arsye kjo për të nxitur më shumë debat në sallë.

Me miratimin e rezolutës, tashmë Grupi Parlamentar i PS-së do të dërgojë për miratim në Parlament projektvendimin për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos