Më shumë se 30 deputetë të Partisë Demokratike do të jenë këtë të mërkurë në Strasburg, në Parlamentin Evropian.
Deputetja Dhurata Çupi, e cila është pjesë e grupit që do të zhvillojë takimet me ndërkombëtarët tregon për A2 CNN se çfarë shqetësimesh do të shprehin në Parlamentin Evropian.
“Kemi konstatuar dhe kemi denoncuar në mënyrë të vazhdueshme si opozitë, standardet e deformuara sa i takon procesit zgjedhor. Moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pra mungesën e një shteti ligjor. Kontrollin e të gjitha pushteteve nga një individ siç është kryeministri. Ka problematika pa fund që ne do të duhet të informojmë dhe sensibilizojmë opinionin ndërkombëtar”, tha Çupi.
Demokratët përveç takimeve me zyrtarë të Parlamentit Evropian, do të zhvillojnë dhe një protestë simbolike para kësaj godine, por deputetja demokrate këtë aksion e quan fushatë sensibilizuese. “Nuk ka protestë, por ka një fushatë sensibilizimi. Grupi Parlamentar ka qenë në mënyrë të vazhdueshme në kontakte me ndërkombëtarët, për sensibilizimin për situatën në Shqipëri. Ndaj edhe në formë simbolike kemi vendosur ta zhvendosim pranë Parlamentit Evropian”, tha Çupi për A2 CNN.
Por ky udhëtim drejt Strasburgut dukeT se nuk do të jetë i fundit për demokratët. “Kontakte me ndërkombëtarët, fushatë sensibilizimi, shfaqjen e asaj që ndodh në Shqipëri do të duhet ta dinë në detaje edhe ndërkombëtarët”.
Pas kthimit nga Parlamenti Evropian demokratët do të nisin përgatitjet për protestën e 29 Tetorit, e cila parashikohet të mbahet në qytetet kryesore me fokus paralizimin e qarkullimit. (A2 Televizion)