Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook pas një komenti që i është drejtuar nga një person në rrjetet sociale, i cili e akuzoi për përdorim droge. “Të ka ikur hunda shtrembër. Vetëm ti mos fol për drogë”.
Kreu i qeverisë i përgjigjet me një video-post në rrjetin social ndjekësit, duke e cilësuar komentuesin si një “top balte” të asaj “katran partie” që i përdor qytetarët, siç përdori piramidat e Sudes dhe Xhaferrit, koha që i përkiste edhe foto e dhunës. Rama pohon se kishte të thyer kockën e hundës, të dëmtuar pjesën e pasme të kafkës dhe çarje të buzës me leva nga ai sulm barbar i ‘katran partisë’ pse kërkonte firma në peticion për dorëheqjen e qeverisë Berisha në Janar 1997, shkruan A2.
“Jo i dashur, por po është e vërtetë që këtë kockën e hundës nuk e kam të drejtë dhe e di pse sepse pikërisht ajo katran partia ta ka mbushur mendjen ty që unë jam drogaxhi, duke ta përsëritur mijëra herë derisa shpifja të duket e vërtetë, ky quhet lavazh truri, ma ka thyer hundën, bashkë me kafkën nga pas, më ka çarë edhe buzën me leva dhe doreza hekuri. Po të tregoj se ti je i ri dhe mbase se ke idenë e piramidave që iu grabitën shqiptarëve të tëra kursimet me bekimin e katranit të madh të asaj partie që të ka mësuar edhe ty të shkruar që unë jam drogaxhi.
Ishte viti 1997 dhe unë mblidhja firma nga shoqëria civile për një peticion për dorëheqjen e qeverisë së asaj kohe që të shmangej ajo katastrofë që erdhi më pas, kur më dolën në prit poshtë shtëpisë, në mes të errësirës dhe baltës së tmerrshme të dimrit. Ishte janar si tani dhe më lanë në rrugë të mbuluar me gjak. Të nesërmen doli një kloun i katran partisë, si puna e këtij Gazment “Ziut” (Bardhit) dhe tha se do të ketë qenë sherr për punë të një femre. Nuk ka më keq se të thuash për tifozëllëk politik – “fluturon gomari” – duke u përdorur si një top balte në luftën e pistë për pushtet të disa të tjerëve. Ti as më njeh e as më ke parë që marr drogë. Nuk është çudi fare që të jesh edhe një djalë i mirë në punën tënde, por vetëm një gjë ma dëgjo, për veten tënde dhe jo për mua: Sa më shumë ta respektojnë veten njerëzit e zakonshëm si ti, duke mos imituar modelin e katran politikës verbërisht si në stadium, por duke ruajtur dinjitetin, aq më shumë shtohen shanset që kjo politikë turpi për Shqipërinë”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)