Tension për Xhaçkën. PD paralajmëron radikalizim në Kuvend, PS nuk ndryshon qëndrim

Nga Ervin Koçi
17 Shtator 2024, 14:51 | Politikë

Çështja “Xhaçka” vijon të jetë kryefjalë e diskursit politik në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, demokratët dhe socialistët debatuan për këtë çështje, ku opozita paralajmëroi një qëndrim më radikal në Kuvendin e Shqipërisë, duke krijuar idenë se kohët e mosbindjes parlamentare mund të rikthehen.

Forca e kartonit të socialistëve për çështjen “Xhaçka” në seancë plenare mund të rikthejë kaosin në Kuvend. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve demokratët dhanë mesazhin e qartë se votimi kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka pamundësuar bashkëjetesën ndërmjet maxhorancës dhe opozitës.

Votimin  e kishit orientuar, mos bëni sikur e latë në dorën e deputetëve. E dinim tri orë  para se si do silleshit, ca abstenim e ca kundër.  Ishte orientuar grisja e vendimeve dhe shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese.  Po e përsëris, po minoni bashkëjetesën me opozitën. Opozita i është drejtuar Drejtësisë, ju nuk pyesni për vendimet e saj.

Gazment Bardhi

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, socialistët vijuan t’i qëndronin idesë se zgjidhen e këtij konflikti do ta japë Komisioni i Venecias i cili do të këshillojë mazhorancën nëse vullneti i lirë i deputetëve për të votuar mund të tejkalojë detyrimin e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin. Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Niko Peleshi

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u miratua kalendari i punimeve të Kuvendit i cili parashikon zhvillimin e tre seancave plenare, një të dedikuar për zgjedhësit dhe dy për veprimtarinë legjislative. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos