Eksperti i sigurisë, Faik Basha, duke folur për Reformën Territoriale, theksoi se bashkimi i disa bashkive që kanë kapacitete të kufizuara do të rrisë mundësitë e tyre për investime dhe ofrimin e shërbimeve.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Basha argumentoi se njësi më të mëdha të qeverisjes vendore do të kenë më shumë burime njerëzore dhe kapacitete për të hartuar e përfituar nga projektet, përfshirë fondet e Bashkimit Evropian.
“Hajde t’i bashkojmë këto bashki që s’kanë kapacitete, s’kanë mundësi investimi, nuk bëjnë dot një kanal, një rrugë, rrugët rurale, investimet për vaditje. Bashkimi i bashkive rrit fuqinë, edhe të burimeve njerëzore, edhe të mundësisë për të pasur projekte, edhe të mundësisë për të patur shërbime. Edhe Kroacia kur pati fazën finale të anëtarësimit dhe kur krijoi mundësitë për të patur fonde për të investuar, pati probleme, dhe iu desh të presë edhe 10 vite, derisa bëri ndryshime për çështjen e qeverisjes vendore, për të tërhequr projekte, dhe për të pasur mundësi për të tërhequr projekte nga BE. Ne duhet t’i paraprijmë kësaj gjëje, pavarësisht se BE s’të thotë ndaje kështu, apo bëje kështu”. (A2 Televizion)