Thërret protestë në 8 shkurt, Berisha: Ahmetaj e faktoi, Rama në luks si kreu i organizatës kriminale

Nga Anesti Barjamemaj
28 Janar 2025, 13:35 | Politikë

Demokratët do të zbresin sërish në shesh në 8 shkurt, të thirrur nga Sali Berisha në një protestë kombëtare, pas dëshmisë së ish-numrit dy të Qeverisë, Arben Ahmetaj. “Të gjitha hollësitë dhe ora e protestës do të njoftohen shumë shpejt. Por e shtuna është dita kur shqiptarët zbresin në Tiranë dhe Tirana zbret në sheshe dhe rrugë”, tha Berisha.

Ndryshe nga herët e tjera ku demokratët kërkonin mbështetje për kauza si qeveria teknike apo zgjedhje të lira, këtë herë Berisha pohoi se tubimi thirret pas dëshmisë së Arben Ahmetajt në Syri TV, që akuzoi kryeministrin Edi Rama për kanabizimin e vendit dhe e cilësoi si kreun e një organizate kriminale.

“Arben Ahmetaj iu faktoi shqiptarëve edhe njëherë se Edi Rama nuk është kryeministër, por është bosi, padrinoja, kryetari i një organizate të mirëfilltë kriminale. Dhe kudo që shkon, ai shkon dhe udhëton jo si kryeministri i Shqipërisë, por si kreu i një organizate kriminale, më e rrezikshmja në historinë e këtij vendit, të rajonit dhe Europës. Arben Ahmetaj, edhe njëherë zhveshi dje lakuriq Edi Ramën si arkitekti i krimit më të madh që mund të ketë ndodhur në historinë e vendit, kanabizimit të Shqipërisë”.

Rrëfimi i Ahmetajt, sipas Berishës, tregoi për një kryeministër që jeton në luks të shfrenuar, arsye tjetër kjo për të cilën thotë se duhet protestuar. “Jeta e shfrenuar e luksit që Edi Rama si një birbo i pamëshirë ndaj shqiptarëve bënte vetë dhe familja e tij. [...] Natyrisht kur vetë hap shishe 33 mijë eurosh, kur shkon në qendra detoksikimi 10 mijë euro java si person me bashkëshorten, kur shpenzon 20 milionë euro me avion taksi, kur blen një vazo 5 milionë euro sikur të ishe sheik apo sulltan”.

Lideri i opozitës pohoi se luksi i shfrenuar i kreut të qeverisë po ndikon në varfërimin e shqiptarëve dhe e quan Ramën si të pashpirt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos