Trazirat para derës së Kryesisë, Meta: Militarizim i Kuvendit, kriza nuk zgjidhet me Gardën e Republikës

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2023, 13:51 | Politikë

Trazirat para derës së Kryesisë, Meta: Militarizim i Kuvendit,

Kryetari i Partisë së Lirisë, njëherësh aleat i Sali Berishës, ka dënuar atë që e cilëson si “militarizim” të Kuvendit të Shqipërisë.

Reagimi i Ilir Metës vjen pas trazirave të krijuara, paraditen e së hënës, në ambientet jashtë Kryesisë së Kuvendit, ku punonjës të Gardës nuk lejuan deputetë të “Rithemelimit” që të futeshin në godinë.

Meta bën të ditur se Partia e Lirisë mbështet qëndrimin e opozitës, më konkretisht, “garantimin e ngritjes së komisioneve hetimore në Kuvend, të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.”

Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë. Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve.

Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:

Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend;

Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore;

Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.

Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen.

Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos