Gjatë Debatit në A2 CNN, Belind Këlliçi zbuloi disa detaje tronditëse nga fushata zgjedhore e 14 majit se shumë nga përfaqësuesit e vendeve partnere në Tiranë, kishin një konsensus mes tyre se rivali i tij në garë kishte shumë lekë dhe se ishte e pamundur ta mundje.
Sipas Këlliçit, kjo gjë për të ishte e pakapërdishme pasi Veliaj, si gjithë zyrtarët e tjerë duhet të kishte vetëm paratë nga rroga dhe nuk e kuptonte se nga buronin këto shumë të frikshme, teksa kjo gjë pranohej dhe nga ndërkombëtarët.
“Edhe gjatë fushatës i kam vënë në dijeni ndërkombëtarët për denoncimet, por konsensusi që kundërshtari ka pasur shumë lekë dhe kontrollonte mediat për mua ka qenë i pakapërdishëm. Edhe sot që e mendoj që ulesha me partnerë, kishte një konsensus që është e pamundur se ka shumë lekë.
E them me përgjegjësi. Pyetja ime ishte ku i ka këto lekë, pasi ka një rrogë si kryetar bashkie dhe ka të ardhura të një zyrtari. Nga burojnë lekët? Kishte një konsensus që ky është një mostër politike dhe disponon para pafund dhe kjo është e vërtetë dhe kontroll mediatik dhe më të fortë se Rama”, tha Këlliçi. (A2 Televizion)