Ka dështuar sërish komisioni hetimor për koncesionet në shëndetësi. Deputetët e mazhorancës kanë bojkotuar për herë të tretë radhazi mbledhjen e komisionit hetimor. Në një deklaratë për mediat, kryetarja Albana Vokshi, tha se e gjithë kjo bëhet me urdhër të kryeministrit Rama, i cili, sipas saj nuk do që të zbardhet e vërteta për këto dy afera korruptive; check-up dhe sterilizim.
“Dëshmuam mungesë vullneti e dëshire të mazhorancës për mbarëvajtje të komisionit hetimor. Deputetët e mazhorancës e bojkotuan për herë të tretë radhazi mbledhjen e komisionit hetimor. Është e qëllimshme. Ashtu sikurse refuzuan për dy vitet e fundit, refuzuan për 5 muaj kur opozita protestoi të drejtat kushtetuese e ligjore të opozitës, po vijojnë refuzimin e të drejtave të opozitës, por në një formë tjetër. E kanë ngritur komisionin për ta dështuar e bllokuar. Çdo mbledhje bojkotohet nga mazhoranca se nuk duan të zbardhen dy afera korruptive check-up dhe sterilizim. Mazhorancë që bojkoton është vetëm kjo me urdhër të Ramës po bllokojnë hetimet parlamentare.”
Vokshi u kujtoi deputetëve të mazhorancës edhe nenet e ligjit për komisionet hetimore, sipas të cilëve kur mungon deputeti merret masa e largimit dhe zëvendësimit. Ajo tha se Ndreca dhe Ekonomi janë në konflikt interesi dhe u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të mos dëgjojnë urdhrat e Ramës.
“Neni 9 pika 7, nëse për më shumë se 3 herë radhazi mungon deputeti merret masa e largimit dhe zëvendësimi i tyre. Sot është hera e tretë që deputetët e mazhorancës kanë bojkotuar komisionin për arsye të papërligjura. I bëj thirrje deputetëve të mazhorancës që të mos ndjekin porosinë e Ramës që nuk do hetim parlamentar dhe as porosive të Plarent Ndrecës, se është në konflikt të hapur interesi, ka qenë avokat i disa prej të akuzuarve nga SPAK. Edhe Milva Ekonomi është në konflikt interesi se ka drejtuar grupin e punës për tenderin për të dyja koncesionet dhe i kanë bërë thirrje zonjës Ekonomi të dorëhiqet.”
Ajo theksoi se ka depozituar sot planin hetimor, ku në listën e dëshmitarëve është Rama, Beqaj, Manastirliu, Cani, Denaj, Albana Koçiu, Klodian Rrjepaj, Geraldina Bogdani dhe persona nga Nisma Thurje që kanë depozituar më parë kallëzimin në SPAK.
(A2 Televizion)