Skenar të planifikuar për të pasur gjakderdhje, e cilëson sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, incidentin mes tij dhe Halit Valterit gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku është edhe anëtar.
Në një konferencë për mediat, krah Presidentit të Partisë së Lirisë, Blushi deklaroi se në sallën e mbledhjes kishte persona të armatosur.
“Ngjarja e djeshme ka qenë e planifikuar, dhe për fat të keq ka qenë e planifikuar që të kishte gjakderdhje. Këtë e them me bindje të plotë, sipas burimeve policore, që më kanë informuar që në seancë kryetari i Bashkisë ishte i veshur me antiplumb. Dhe brenda në sallë kanë qenë persona të armasotur dhe civil”, tha Tedi Blushi.
Numri dy i PL flet për atentat të dështuar, ndërsa për konfrontimin fizik mes tij dhe këshilltarit tjetër Valteri, pretendon se është provokuar.
“Aty është menduar që të bëhej një atentat, por skenari ndoshta dështoi. Unë i kam hedhur gjithë aferat në fytyrë Veliajt, unë u provokova nga një horr, nga një bandit, i cili erdhi të më dhunonte pse unë i hodha letra në fytyrë Veliajt”.
Ilir Meta shkoi më tej duke pohuar se porositësit ishin tre. “Ne e dimë se kush janë organizatorët, ata janë Edi Rama, pas prindit një është prindi 2, miu i bashkisë dhe i treti është Dumdumani”, tha kreu i PL.
A2CNN kontaktoi me këshilltarin bashkiak Halit Valteri për të dëgjuar edhe qëndrimin e tij, por nuk mori përgjigje.
Ndërsa kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se do të kërkojë zbatimin e ligjit me përpikëri ndaj Tedi Blushit. (A2 Televizion)