
Kuvendi i Shqipërisë doli këtë të ënjte me një deklaratë zyrtare pas vendimit të Gjykatës Speciale për të dënuar me 81 vite burg në total për 4 ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike, që nuk mund të relativizohet. Lufta e UÇK ishte luftë për çlirimin e Kosovës, për t’i dhënë fund represionit, dhunë dhe përndjekjes. Ajo lindi si përgjigje ndaj dhunës, represionit, spastrimit etnik dhe gjenocidit të regjimit gjakatar të Millosheviçit”, thuhet në deklaratën e lexuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
“Vendimi nuk mund të rishkruajë historinë e një populli apo të barazojë agresorin me viktimën. Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e të kaluarës së vendit tonë. Nderimet publike dhe shtetërore që i rezervohen personave të dënuar për krime lufte si dhe glorifikimi i figurave të përfshira në gjenocid dhe spastrim etnik cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.
Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar këtë vendim dhe deligjitimuar luftën e UÇK-së”.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall të mërkurën fajtor për krime lufte nga Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë. Thaçi, 58 vjeç, u dënua me 25 vjet burg për krime, përfshirë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm, të kryera kur ai ishte komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999, kur Kosova po luftonte për t’u shkëputur nga Serbia.
Në vendimin e dhënë Gjykata tha se Thaçi u shpall fajtor për vrasjen e 96 kundërshtarëve politikë dhe personave të konsideruar bashkëpunëtorë të forcave serbe të sigurisë, të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë konfliktit.
Për akuza të ngjashme, u dënua me 25 vite burg edhe Jakup Krasniqi. Kadri Veseli u dënua me 18 vite burg ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vite burg. (A2 Televizion)