Kryeministri Edi Rama shpjegoi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN rëndësinë e pasaportës europiane, të cilën Partia Socialiste e ka premtimin kryesor të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
“Pasaporta europiane është status i ri, për ty personalisht që sot, ti je një shqiptar, je i huaj për BE-në, pavarësisht se je pjesë e një populli që është ndër më të vjetrit në Europë, dhe që gjeografikisht banon mu në zemër të Europës. Me marrjen e asaj pasaporte, ti nuk do të jesh më i huaj në BE dhe Shqipëria do të bëhet e madhe sa BE-ja dhe BE-ja do të bëhet e vogël sa Shqipëria. Kjo është pasaporta europiane”, sqaroi Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Në vijim, Rama tha se nuk kemi të bëjmë me një simbolikë, por rëndësinë e të jetuarit si qytetar i BE-së, duke përfituar nga shërbimet shëndetësore, arsimore etj...
“Kjo nuk është simbolikë dhe radha në aeroport është më e pakta. Nëse je i huaj në BE, si i huaj nuk je i barabartë me qytetarët e BE. Ndërsa je me pasaportë europiane je i barabartë me të gjithë qytetarët e BE. Studentët nuk do ta paguajnë dhjetëfish, siç paguajnë sot kur nuk janë qytetarë të BE-së. Kanë të njëjtin akses në sistemin shëndetësor të Europës, etj. Pra kthehemi në qytetarë të një hapësire shumë të madhe që nuk rrethohet më nga kufijtë e Shqipërisë, por të BE-së”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)