Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi shkarkimin e Erion Veliajt nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshill, Dorian Teliti, deklaroi se bashkia po drejtohet në mënyrë faktike nga dy ministre të qeverisë Rama, Ogerta Manastirliu dhe Belinda Balluku, ndërsa opozita do të intensifikojë aksionin e saj politik në ditët në vijim.
Në një intervistë në Ditarin nga Pandi Gjata në A2 CNN, Teliti tha se vendimi i Kushtetueses vërtetoi atë që opozita kishte paralajmëruar: se shkarkimi i Veliajt ishte i përgatitur në mënyrë të mangët dhe të njëanshme nga mazhoranca socialiste.
“Që në fillim paralajmëruam se mungesa e Erion Velisë në Këshillin Bashkiak do përdorej si justifikim për ta shpëtuar më pas me vendim të gjykatës. Kështu ndodhi. Projektvendimi ishte qëllimisht i cekët dhe jo ligjor”, tha Teliti.
Ai akuzoi socialistët se kanë refuzuar propozimet e opozitës për të përfshirë në arsyetimin e shkarkimit dy shkelje të rënda nga ana e Veliajt: Prishjen e Teatrit Kombëtar, në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe së dyti nënshkrimin e një angazhimi financiar për inceneratorin e Tiranës në emër të Këshillit Bashkiak, pa miratimin e këtij institucioni.
“Kryetari i bashkisë nuk mund të marrë as një vendim për ndihmë ekonomike 20 mijë lekë pa miratimin e Këshillit, e jo më të marrë përsipër 96 milionë euro për inceneratorin”, u shpreh Teliti.
Zyrtari demokrat e cilësoi si “të qëllimshme” mënyrën se si PS hartoi vendimin e shkarkimit, duke lënë të kuptohet se pas gjithë procesit fshihej një skenar politik i Edi Ramës për të ruajtur kontrollin mbi Bashkinë e Tiranës.
“Fakti që një javë para vendimit të Kushtetueses, zonja Manastirliu u emërua në Komisionin e Reformës Zgjedhore, tregon se Partia Socialiste e dinte rezultatin final”, tha ai.
Teliti pohoi se aktualisht Tirana drejtohet nga Manastirliu dhe Balluku, ndërsa çdo vendimmarrje bëhet me bekimin e kreut të qeverisë: “Menaxhimi konkret i përditshëm bëhet nga Manastirliu dhe Balluku. Por mbi to qëndron gjithmonë Rama”.
Sa i përket hapave të ardhshëm, ai konfirmoi se opozita në Këshillin Bashkiak do të kërkojë një mbledhje urgjente për të propozuar një vendim të ri për shkarkimin e Veliajt, këtë herë me bazë ligjore më të fortë.
“Nëse ka vullnet, do ta çlirojmë Tiranën. Do kërkojmë që vendimi të pasurohet me shkeljet reale dhe të verifikueshme të Veliajt”, tha Teliti.
Ai theksoi se opozita ka gati edhe kandidatin për zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se kur ato do të zhvillohen: “Kandidatin e kemi, është Florian Binaj, dhe ka mbështetjen e gjithë opozitës.” (A2 Televizion)
