Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit, Belind Këlliçi, akuzoi Erion Veliajn se me buxhetin e Bashkisë së Tiranës ka depozituar në landfillin e Sharrës dhe mbetje të Bashkisë Kamzë. Sipas Këlliçit, i cili tregoi dhe disa dokumente dhe e-maile, Veliaj ka paguar 6 milionë euro për mbetjet e Kamzës, para të cilat duhet t’i paguante koncensionari.
“Në mars të vitit 2019, Bashkia Tiranë vihet në dijeni se mjetet e kompanisë Alko Impex ishin kapur duke depozituar mbetjet e Bashkisë Kamëz në landfillin e Sharrës, duke i deklaruar këto si mbetje të zonës së Kombinatit në Tiranë. Mbetje të cilat faturoheshin dhe paguheshin nga Bashkia Tiranë. Erion Veliaj sigurisht nuk ndërmori asnjë masë. 1 javë më pas, Drejtori i Përgjithshëm i Punëve Publike në bashki Taulant Tusha, i dërgon një shkresë inceneratorit të Tiranës, për dijeni edhe kompanisë, ku i bënte me dije se nuk do të pranoheshin më depozitime për llogari të bashkisë, nëse kalohej sasia 165 tonë mbetje në ditë”, tha Këlliçi.
“Këtu është edhe komunikimi më flagrant i punonjësve të inceneratorit Tiranë, komunikim i cili fakton përtej çdo dyshimi se shkresa e Taulant Tushës ishte dhe se vendimet për zbatimin e ligjit, i merrte pronari faktik i inceneratorit Erion Veliaj. Pra është fare e thjeshtë të kuptohet fakti se Klodian Zoto duhej të merrte urdhër nga pronari faktik i inceneratorit Erion Veliaj, për të vepruar për depozitimin e mbetjeve të Kamzës. Erion Veliaj në dijenitë plotë, ka hequr nga buxheti i Bashkisë Tiranë mbi 6 milionë euro, për të paguar mbetjet e Kamzës, para të cilat do duhej t'i paguante konçensionari. I takon tashmë SPAK të hetojë dhe faktojë nëse këto 6 milionë euro para korruptive, kanë përfunduar në llogaritë bankare të të afërmve të Erion Veliajt”. (A2 Televizion)