“Vendi i Sulës është në PD”, Berisha: Rama-Basha të dashuruar, zoti ua shtoftë!

Nga Anesti Barjamemaj
19 Mars 2025, 15:13 | Politikë

Dera për Dashnor Sulën vijon të jetë e hapur në Partinë Demokratike, por listat janë mbyllur. Sali Berisha edhe njëherë nuk ia mohoi kontributin deputetit të Peqinit, duke thënë se ka investime reale në parti, shkruan A2 CNN. “Dashnor Sula është një eksponent i PD-së me investime reale në këtë parti dhe vendi i tij është në PD”, tha Berisha.

Deri tani, Sula i është përgjigjur me refuzim ftesës së Berishës për bashkim, por duket se përpjekjet për të joshur deputetin nuk mungojnë as nga kampi tjetër. Edi Rama gjatë një takimi në Elbasan e ftoi demokratin që të ndryshonte ngjyrën e partisë, veprim që në sytë e Berishës është mjaft domethënës.

“Rama i thotë atij, sa shkon tek Lapaj, hajde tek unë se është njëlloj, po unë të paktën jam unë padroni. Pra, në këto deklarata shihet se sa e gabuar ka qenë përzgjedhja që bëri Dashi me Llapajn. Sepse ata janë njëlloj. Ata janë paterica të Edi Ramës”, tha ai.

I pyetur për gjestet e Flamur Nokës nga foltorja e Parlamentit teksa bënte parashikime elektorale për 11 Majin, Berisha tregoi se nuk pajtohet 100% me numrin dy të PD, por e justifikoi duke thënë se ka përdorur gjuhën që kupton më mirë kundërshtari. “Flamuri mund të mos e bënte atë gjest, por Flamuri i njeh ata se gjuha e tyre është gjithnjë afrodiziake. Ai e di se ata kuptojnë më mirë se gjithçka tjetër gjuhën afrodiziake. Kjo ishte, kështu e interpretova unë atë”.

Gjatë konferencës për shtyp, e pyetën edhe për videot që Edi Rama dhe Lulzim Basha shkëmbejnë me njëri-tjetrin. “Tani, atë që e kishin të fshehur e nxorën hapur. Kaq mund të them. Se dashuritë janë me faza. Kanë fazën latente, e kanë fazën publike etj. Nuk ka gjë të re. E kishin ata dhe dolën publikisht. Zoti ua shtoftë”.

Ndryshimet në arenën ndërkombëtare gjatë 4 muajve të fundit, Berisha i konsideron aq të mëdha, saqë thotë se Edi Rama është shndërruar pothuajse në një kufomë politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos