Berisha për Konferencën e PPE: Morëm mesazhe për mbështetje të plotë të PD dhe fitoren e saj në zgjedhje

Nga A2 CNN
19 Mars 2025, 12:52 | Politikë

Berisha për Konferencën e PPE: Morëm mesazhe për

Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se ka marrë mesazhe të shumta për mbështetjen e PD dhe fitoren e saj në zgjedhjet e ardhshme, në konferencën e Partive Popullore Europiane.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, Berisha tha se ka një ndryshim, një zhvillim dramatik pozitiv në marrëdhëniet e PD me PPE dhe partitë simotra, shkruan A2 CNN.

Ai shtoi gjithashtu se fjala e tij u ndoq me shumë interes në konferencën e PPE-së, pasi sipas tij, Europa në shekuj ka parë të gjitha llojet e diktaturave, përveç narkodiktaturës.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Në Podgoricë, nën drejtimin e presidentit të Partisë Popullore Europiane, zotit Manfred Ëeber, u zhvillua konferenca rajonale e PPE me një pjesëmarrje të gjerë paneuropiane.

Në këtë konferencë, kushtuar Ballkanit Perëndimor, PD mori pjesë aktive.

Në panelin e hapjes së konferencës, paraqita me të gjithë shëmtinë e saj narkodiktaturën e Shqipërisë si regjimi i parë i instaluar në shekuj në Europë.

Unë informova PPE se njeriu që shëtit me atlete të bardha në samite ndërkombëtare dhe paraqitet si liberal sportist apo piktor, pavarësisht se i dështuar në të dy aspektet, brenda në Shqipëri është një njeri që nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, as Kushtetutë, as vendime të Kushtetutës, asgjë.

Është një narkodiktator i llojit të tij, i cili vazhdon dhe aplikon terrorin politik.

Aplikon shndërrimin e zgjedhjeve në farsë, pra përbën një rrezik të madh për Shqipërinë, rajonin dhe Europën.

Fjala u ndoq me shumë interes, natyrisht theksoj edhe njëherë se Europa në shekuj ka parë të gjitha llojet e diktaturave, përveç narkodiktaturës.

Garantoj shqiptarët se kjo përpjekje e rëndësishme që u bë dje ka filluar të ketë një rezonim të madh dhe të vërtetë dhe do vazhdojë gjer në vendosjen para përgjegjësive ligjore të të gjithë atyre që shndërruan Shqipërinë nga shtet ligjor në narkoshtet.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, u krijua mundësia të bisedoj me presidentin e PPE, Ëeber, me drejtues të tjerë të kësaj partie, me mikpritës lokalë dhe pjesëmarrës në këtë konferencë.

Unë e shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen presidentit Ëeber për ftesën dhe interesin dhe kujdesin që ai tregon për PD në Shqipëri dhe zhvillimet në Shqipëri.

Ju jeni dëshmitarë, janë tre rezoluta ndërkombëtare, të cilat janë votuar nga PPE, IDU dhe CDI.

Pra, ka një ndryshim, ka një zhvillim dramatik pozitiv në marrëdhëniet e PD me PPE dhe partitë simotra.

Aty takova dhe pata bisedë me zëvendëspresidenten e Forza Italia, Debora Bergamini, një mikeshë e vjetër, që ka qenë asistentja e parë e Silvio Berluskonit.

Pati edhe përfaqësues të partive të tjera me të cilët biseduam për bashkëpunimin mes forcave tona politike.

Pra, mesazhet e Podgoricës janë mesazhe mbështetje të plotë për PD dhe fitoren e saj në zgjedhjet e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos