Edi Rama qëndroi indiferent ndaj 7 pyetjeve të Sali Berishës lidhur me pronat e familjarëve të tij në Vuno të Himarës. Por këtë të premte kryetari i PD kërkoi shpjegime të tjera nga kreu i qeverisë. Sipas Berishës, Rama nuk ka asnjë dokument që vërteton pronësinë për 224 mijë metër katror tokë, dhe i bën këtë sfidë.
“Nëse keni kurajo dhe guxim nxirre para publikut hartën, sepse ne do të nxjerrim dokumente. Po të paralajmëroj, do të nxjerrim dokumente që faktojnë vendndodhjen e tokës që po plaçkitet”.
Edhe sa i përket trashëgimisë së pronave, sërish Berisha hedh dyshime.
“A ke ndonjë dokument zyrtar ku të shkruhet se sipërfaqja prej 224 mijë metër katror tokë në Gjipe është pronë e gjyshit tënd Petro Koleka dhe vëllaut të tij, baba Pilos se ata e kanë blerë e kanë blerë atë tokë?”
Berisha akuzon Ramën se ka mashtruar në shpjegimet që ka dhënë më parë për pronat në Vuno dhe kërkon prej tij përgjigje për të gjitha pyetjet e ngritura. Ai tha se do të vijojë denoncimet për atë që i vuri emrin si vjedhja shtetërore më e madhe në historinë e vendit. (A2 Televizion)