Votat e qarkut të Tiranë do të rinumërohen sërish. PD nuk arriti të bindë KAS të shpallte të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve, por shfrytëzoi dy anëtarët e saj në këtë formacion për të hapur 1282 kutitë e Tiranës me qëllim rinumërimin e të gjitha fletëve.
Një vendim i tillë duket se ka entuziazmuar kandidatin e PD në Tiranë Ilir Alimehmeti, i cili edhe pse mblodhi 18 mijë vota preferenciale, nuk mori dot mandatin e deputetit. Rinumërimi po shihet si një mundësi nga ana e demokratëve për mandatin e 14, që në këtë rast do t’i ikte partisë Mundësia, por do të dërgonte Alimehmetin në Parlament.
Ndërsa Tirana pritet të hapet, Kukësi u mbyll i pandryshuar. Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e PD për pavlefshmëri duke lënë në fuqi fitoren e opozitës me 2 mandate dhe 1 të PS.
Sipas KAS, provat e paraqitura ishin të pamjaftueshme.
Paralelisht me mbledhjet në KQZ, në magazinat e këtij institucioni në Vaqarr u hapën 229 kuti me kërkesë të demokratëve, për të verifikuar çfarë kishte ndodhur me votat e papërdorura por të pashënuara në procesverbal.
Duke iu referuar procesverbaleve, PD pretendonte se mungojnë 130 mijë fletëve të votimit të papërdorura.
Por hapja e kutive të materialeve zgjedhore tregoi që kishte vetëm neglizhencë të komisionerëve, pasi fletët ishin bashkë me pjesën të tjetër të materialit zgjedhor, por numri i tyre nuk ishte shënuar në kolonën përkatëse të procesverbalit.
Ndërsa KQZ së bashku me numëruesit verifikonin, demokratët nuk u paraqitën në punë për të monitoruar hapjen e kutive.
Pjesë e proceseve ankimuese është edhe një kërkesë e demokratëve për të rinumëruar votat e tyre preferenciale në 44 kuti në Dibër, pavarësisht se në këtë qark, demokratët nuk arritën të fitojnë mandate përtej listës së sigurt.
(A2 Televizion)