Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, zgjodhi të flasë në seancën e sotme në kuvend për sfidat e ndryshimeve klimatike dhe biodiversitetin që po ndikon rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe temperatura të larta në vendin tonë. Në fjalën e tij kritikoi edhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Mjedisit lidhur me neglizhencën që sipas tij kanë në lidhje me këtë çështje.
“Javën që shkoi ishte dita botërore e bletëve, duket si një gjë pa rëndësi dhe disa i konsiderojnë insekte. Ushqimi po krijon tension në çdo vend të botës dhe për shkak të ndryshimeve klimatike. Thënë këtë, doja t’ju ftoja të flasim për këtë gjë. Ta harrojmë faktin për zgjedhjet kemi dalë mirë apo keq dhe të merremi me atë që është themelore se në zgjedhje pa ngrënë nuk shkohet dhe pa pirë nuk shkohet. Nëse në zgjedhje flasim vetëm për drogën e portin, a do flasë njeri për ushqimin tonë? Duhet t’i rikthemi kësaj gjëje. Ka njerëz që dalin keq dhe heshtin, ka nga ata që dalin keq dhe bërtasin. Të flasësh për zgjedhjet është interes personal Sa bletë kemi humbur nga ndryshimi i klimës? Bleta është jetike për pjalmimin e bimëve. Nuk do ta zëvendësojmë kurrë procesin natyror që janë bletët dhe që në fund fare sjellin prodhimin. Asnjë nga institucionet tona nuk merret me këtë çështje, as Ministria e Bujqësisë, përfshi ministrinë e Mjedisit, përfshirë edhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për mënyrën sesi mbrohen burimet natyrore e biodiversiteti. Në fund të muajit mars, rezervat në Mesdhe janë ezauruar. I gjithë biodiversiteti detar a po gëlltitet fort nga temperaturat në rritje të gjithë japin alarmin”.
Braçe theksoi se janë rritur çmimet e ushqimeve për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ngre pikëpyetje mbi rolin e politikës në vend.
"Këtu flasin për Portin e Durrësit, ndërkohë që porti mund të mbetet pa asgjë nesër se klima po ndikon, si te bota shtazore e njerëzit . Këtu problemi është Porti i Durrësit dhe pastaj kur shkojmë te zgjedhësit flasim për çmimet bujqësor e blegtorale që janë në rritje. Shalqini 1 mijë lekë kg se po jep impakt klima edhe në bujqësi. Çmimet e ushqimeve po vijnë në rritje. Pse flasim për gjëra që mund të zgjidhen qetësisht? Na lini kohë të flasim për probleme madhore që kanë të bëjnë me procese jetësore. Ne i kemi dhënë prioritet Vjosës, por brenda territorit tonë jo jashtë territorit tonë, edhe lumenjtë që kemi brenda janë problem i madh. Burimet ujore do të jenë sfida e radhës klimatike prandaj duhet t’u kushtojmë vëmendje, ndryshe çfarë kuptimi ka politika. Të jetosh me temperatura 40 gradë dhe të mos ndërmarrësh asgjë? Të jetosh me ushqim të kufizuar apo në rritje me burime ujore të infektuara apo te ndotura ujore. Për çfarë duhemi ne? Për çfarë duhen zgjedhjet kur nuk ke elementë të domosdoshëm jetësorë. Për çfarë do t’u flasim njerëzve? Unë mendoj më mirë për bletën se Portin e Durrësit”.
Në fund ai bëri apel që të miratohet ligji për të ndaluar djegien e tokave nga zjarret.
“Kemi hyrë në sfidën e zjarreve dua vëmendjen e qeverisë për të miratuar ligjet në fuqi për të ndaluar djegien e tokave me zjarr jetësor dhe duhet të vendosim rregull për këtë tani”.
(A2 Televizion)