Debate në Kuvend, Noka: Kanë futur GPS në zarfe. Balla: Gjurmimi i votës është vepër penale

Nga A2 CNN
5 Qershor 2025, 11:01 | Politikë

Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit solli sërish përplasje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku demokratët dhe socialistët debatuan ashpër, shkruan A2 CNN.

Deputeti i PD, Flamur Noka, risolli edhe një herë akuzat për manipulimin e votës së Diasporës, duke thënë se qytetarë të ndryshëm kanë futur GPS në zarfet e tyre duke zbuluar se nuk kanë mbërritur kurrë në Shqipëri. “Janë 500 qytetarë në Selanik që kanë futur GPS në zarfe”, tha Noka. Disa ditë më parë, në një intervistë në A2 CNN, Noka tha se edhe në Angli, njerëz të njohur të tij kanë bërë të njëjtën gjë dhe kanë zbuluar se votat nuk kanë dalë nga ishulli.

Akuzave të Nokës iu përgjigj nga radhët e socialistëve Taulant Balla, i dërguari i partisë së tij për votat e Diasporës. “Ju e keni të vështirë të aplikoni 'nenin Basha', e kuptoj shumë mirë çfarë po përpiqeni të bëni”, tha Balla. “Më kishin thënë që e kishte thënë Flamuri në një studio. Se Flamuri paska futur 500 GPS në zarfe dhe këto GPS na paskan mbetur në Londër. O Flamur, kjo që thua ti është vepër penale, sepse identifikimi dhe gjurmimi i votës është vepër penale. Kjo që bën ti është e dënueshme, dhe nëse ke prova, përse nuk shkon t’i dorëzosh në Prokurorinë e Posaçme? Shko atje, sepse juridiksioni i përgjithshëm nuk ka kompetencë për këtë çështje”, shtoi Balla.

Në zgjedhjet e 11 majit, PS fitoi një mandat të katërt, historik, duke siguruar plot 83 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa Partia Demokratike mori 50 vende. Opozita ka deklaruar nuk do të njohë rezultatin e përgjithshëm në zgjedhje, pasi sipas saj ishin një “farsë elektorale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos