Përmes një reagimi në rrjetet sociale, KQZ sqaron se nuk ka vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të përjashtuar nga numërimi dhe vlerësimi i votave, shqiptarët që kanë votuar nga Greqia.
Pas tensioneve të regjistruara mbrëmjen e djeshme te Parku Olimpik, KQZ mori vendim që GNV të vijojë me numërimin e fletëve të votimit duke lënë mënjanë zarfet nga Greqia, me qëllim zhbllokimin e procesit.
Në njoftim sqarohej se do të ketë një vendimmarrje të dytë për zarfet e Greqisë, ndërsa Partia Socialiste përmes drejtuesit politik për Diasporën, Taulant Balla kërkoi shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për mosnumërimin e votave të ardhura nga Greqia.
Balla në një prononcim për A2 CNN pas mesnate e konsideroi vendimin e lënies mënjanë të zarfeve nga Greqia si “absolutisht të pavlefshëm, të nxjerrë në kundërshtim me ligjin” dhe paralajmëroi apelim në KAS.
Lidhur me të gjithë situatën KQZ sqaron sot se “vendimi i marrë një ditë më parë, ka si qëllim vetëm mirë administrimin e dokumentacionit zgjedhor të votuesve nga jashtë, gjatë kohës kur ky dokumentacion, shqyrtohet nga numëruesit dhe komisionet përkatëse të administrimit të numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për 12 qarqet e vendit”.
Më tej, KQZ i cilëson komentet dhe opinionet kundërshtuese për këtë akt si mosnjohje e faktit, “madje me raste edhe spekulime”. (A2 Televizion)