Pas leximit të statistikave, Celibashit iu desh të përballej sërish me një prej kritikëve të tij. Pandeli Majko për të katërtin vit radhazi akuzon KQZ-në për neglizhencë të votës së diasporës duke ngritur edhe shqetësimin se procesi i ardhshëm elektoral mund të atakohet në gjykatë kushtetuese.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ndryshoi qëndrim edhe pas fjalëve të ish-ministrit të Diasporës, duke i rikujtuar atij se përgjegjësia për të mundësuar votimin nga jashtë i takon politikës. Në të kundërtën, as në 2025 nuk do të mundësohet.
“Unë e kuptoj se interesi është të adresojmë çështjet për zgjedhjet e 2025, por pas 2025 do të ketë prapë zgjedhje dhe pse jo të diskutojmë për të gjitha çështjet dhe problematikat që lidhen me zgjedhjet në Shqipëri. E kuptoj që mund të shkaktojë një lloj hilariteti kjo ide, por nuk është pa sens, por shumë e arsyetuar. Shumë vende e aplikojnë këtë ide, ku miratohet ligji zgjedhor dhe hyn në fuqi pas zgjedhjeve të radhës. Do të ishte e udhës që kjo strukturë të krijohej për të punuar dhe për të bërë një reformë të vërtetë zgjedhore. Kryesore është çështja e referendumeve, duhet të ketë një rregullim të përshtatshëm ligjor gjë që sot nuk ekziston”, tha Celibashi.
Krahas diasporës, interesi i deputetëve ishte edhe për votimin elektronik për në parlamentare e 2025 ku Celibashi tha se afatet për ta shtrirë në të gjithë vendin, kanë skaduar.
Sa I përket reformës zgjedhore, Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve u shpreh se puna duhet intensifikuar në mënyrë që amendamentet të mos miratohen gjatë periudhës zgjedhore. (A2 Televizion)