Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Berisha: Dëshmi e pasigurisë dhe dështimit të reformës në drejtësi

Nga Anesti Barjamemaj
7 Tetor 2025, 15:11 | Politikë

Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit për Sali Berishën është dëshmi e shkallës së pasigurisë që po përjeton vendi. Nga selia blu, lideri i opozitës teksa dënoi ngjarjen e cilësoi aktin si një krim shtetëror.

“Nuk pajtohem kurrë me marrjen e jetës dhe aq më tepër ekzekutimin në detyrë të zyrtarëve për asnjë lloj arsye, ndaj dhe kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit dhe përsëri shpreh ngushëllimet e mia familjes Kalaja. Vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjitha përgjegjësive dhe detyrimeve shtetërore”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Për të ngjarja e rëndë në Gjykatën e Apelit është e lidhur edhe me reformën në drejtësi të miratuar në vitin 2016, ku tashmë qytetarët do duhet të presim më gjatë për të marrë drejtësi. “Ekzekutimi i gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit, njëlloj sikur të ishte në shesh apo rrugë të qytetit, dëshmon gjithashtu dështimin e plotë të reformës së sistemit të drejtësisë nga Xhorxh Soros. Qytetarët shqiptarë, që para reformës së Xhorxh Sorosit, duhet të prisnin dy gjer në 4 vite për një vendim gjyqësor, sipas të dhënave zyrtare të sotme, duhet të presin 4 deri në 6 herë më shumë apo mbi 15 vite”, shtoi Berisha.

Deklaron se nuk e përligj krimin e rëndë kundër gjykatësit Kalaja, por shton se qytetarët detyrohen që të paguajnë për të marrë drejtësinë. “Askush nuk mund të mohojë se ai krim makabër dëshmon për shkallën e tmerrshme të korrupsionit të gjithanshëm që ka pushtuar vendin, dhe në rastin konkret, sistemin e drejtësisë, siç faktohet kjo nga organizatat prestigjioze ndërkombëtare”.

Nga konferenca për mediat, lideri i opozitës komentoi edhe reagimin e kreut të qeverisë për ngjarjen, ku sipas tij Rama po shfrytëzon vrasjen e një gjykatësi për të përshpejtuar miratimin e Kodit Penal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos