Zgjedhja e kreut të ri të Gardës, Bardhi në Kuvend: Akt klasik korrupsioni, E paralajmëruam që në mars

Nga A2 CNN
12 Shtator 2024, 10:28 | Politikë

Zgjedhja e kreut të ri të Gardës, Bardhi në Kuvend: Akt

Ka nisur me debat seanca e sotme parlamentare pas zgjedhjes së kreut të ri të Gardës së Republikës. Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmet Bardhi ka kërkuar nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali, që të ngrejë një komision etike në lidhje me ndryshimin e ligjit të Gardës të miratuar në mars të këtij viti. Sipas kreut të grupit demokrat, ky ishte një ligj i porositur për të zgjedhur në krye të këtij institucioni një njeri që ishte jashtë sistemit.

“Dua të ngre një çështje për procedurë; 10 shtator 2024 ministri i ri i Brendshëm njoftoi se pas një konkurrimi të madh kishte zgjedhur drejtorin e ri të Gardës së Republikës. Në fakt drejtori i ri ishte zgjedhur para ndryshimeve të ligjit për Gardën që u miratua nga ky parlament”.  

Në përgjigje të tij kryeparlamentarja, Elisa Spiropali tha se “kjo çështje nuk është për procedurë”.

Por Bardhi vijoi më tej duke akuzuar mazhorancën; “Për ju korrupsioni politik nuk është procedurë”.

Ai tha se opozita e kishte paralajmëruar zgjedhjen e kreut të ri të Gardës së Republikës që në kohën kur miratoheshin ndryshimet në ligj, duke e cilësuar këtë si një akt klasik korrupsioni shkruan A2.

“Në mars kur miratonit ndryshimet ju kanë thënë se është investim me emër e mbiemër për të zgjedhur në krye të Gardës një njeri që ishte jashtë sistemit, e mohuat dhe e votuat të gjithë sipas vullnetit të Ramës dhe 6 muaj më pas emri që ne iu thamë u zgjodh me konkurs të hapur, tha ministri i Brendshëm, ndërkohë që atë e kishim zgjedhur ne në mars të 2024. Nuk ka akt më korruptiv që të detyrosh 74 kolegë të nderuar të mazhorancës për të votuar për interesa të një individi një ligj të porositur. Kjo është vepër e pastër penale. Është korrupsion. Është rasti klasik i korrupsionit”, citon A2 Bardhin.

Ai kërkoi që të ngrihet një komisionet etike për të verifikuar si u soll dhe u votua ky ligj në parlament, para se opozita të ndjekë hapat ligjorë.

“Para se të ndërmarrim hapat, ju si kryetare e kuvendit duhet të ngrini një komision etike për të verifikuar si u sponsorizua ligji? kush i detyroi deputetët të votonin një emër që Rama e firmosi në shtator të 24 në fakt e kishte zgjedhur si investim të një oligarku që në shkurt të 24. Soli ligjin detyroi deputetë të votonin dhe pastaj bëri sikur ndoqi procedurën. Ligjet me porosi janë kthyer në traditë, në rutinë e normalitet për këtë mazhorancë . Është përgjegjësia juaj të ngrini një komision etike dhe të hetoni si erdhi ligji? Kush e solli ligjin? Pse u votua dhe si u votua? Dhe më pas opozita do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, se jemi para një ligji të porositur që përbën korrupsion”.

Më 10 shtator Ermal Onuzi mori drejtimin e Gardës së Republikës. Ai u prezantua nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, i cili shprehu besimin për të vijuar punët e nisura dhe për të qenë një trupë elitare.

Onuzi u përzgjodh mes 6 kandidatëve për kreun e këtij institucioni; Artan Didit, Dritan Osmanit, Krenar Çarçanit, Klajdi Hajredinajt dhe Jona Lamkos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos