Chris LaCivita, njeriu që konsiderohet si arkitekti i rikthimit të Presidentit të SHBA, Donald Trump, në pushtet, do të jetë truri i fushatës së Partisë Demokratike për 11 Majin.
Sali Berisha, bashkë me krerët e partive aleate, teksa prezantoi arritjen e marrëveshjes me LaCivita, pohoi se bashkëpunëtori i ngushtë i Donald Trump do e rikthejë opozitën në pushtet.
“Zoti Chris LaCivita është njeriu që pati fatin e madh t’i drejtohet kombit amerikan nga Mar-A-Lago natën e shpalljes së fitores nga presidenti amerikan në krah të këtij të fundit. Koalicioni ynë është i nderuar që kryearkitekti, një nga dy kryearkitektët e fushatës së fitores së datës 11 maj të jetë zoti Chris LaCivita”, shprehet Berisha.
Teksa krahasoi veten me Donald Trump, Berisha tha se njësoj si në SHBA edhe opozita shqiptare po përballet me një fushatë të pabarbartë, por shtoi se tashmë që kanë Chris LaCivita janë besimplotë se 11 maji do të flasë në favor të tyre.
“Pavarësisht nga të gjitha këto, ky ekip arritën që presidenti Trump të fitojë mendjen dhe zemrën e shumicës dërrmuese të qytetarëve amerikanë dhe të shënojë njërën nga fitoret më spektakolare në historinë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA”, shtoi Berisha.
Chris LaCivita foli me superlativa për Sali Berishën dhe që në daljen e parë publike sulmin e drejtoi kundër Edi Ramës, të cilin e quajti një kukull të Gorge Soros.
“Jemi sot këtu sepse dëshirojmë të zgjedhim një kryeministër që është një mik i vërtetë i SHBA, i cili do të punojë në mënyrë të suksesshme me presidentin Trump dhe me SHBA. Kryeministri aktual nuk është asgjë më tepër se një kukull e Xhorxh Sorros, nuk mund të mbetesh kukull e Soros. Nuk mund të jesh edhe kukull e Soros dhe mik i SHBA-ve, kjo nuk është e mundur”, tha LaCivita.
“Të bëjmë Amerikën sërish të madhe” ishte kryefjala e fushatë së Trump në SHBA dhe këtë togfjalësh duket se demokratët do ta përdorin për të arritur fitoren në 11 maj. (A2 Televizion)