Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Mandat të fortë që të mos i dalë njeri para negociatave me BE

Nga Arestina Skënderi
20 Mars 2025, 15:38 | Politikë

Objektivi i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit është të marrë një mandat të katërt me shumicë të cilësuar, pra me 84 mandate. Këtë e pohon edhe kryeministri Edi Rama, ndonëse pa përmendur shifra, kur në emër të procesit të anëtarësimit në BE, thekson nevojën për një mandat të fortë në parlament.

“Çështja është që Partia Socialiste të marri një mandat të fortë që mos të ketë më asnjë luhatje procesi dhe mos ti dali njeri përpara negociatave, mos t’i dalë njeri përpara Bashkimit Europian. Pastaj s’jam unë në 2029, mbaron mandati im në 2029kemi kryer punë ne, kemi kryer punë. kush të jetë, ca do që të jetë ai që do të jetë unë besoj që do të jetë socialist, mund të jetë dhe socialiste, por do e marr përdore e do t’i them ulu tani, edhe vazhdoni ju gjenerata e Tik-Tok-ut drejtoni Shqipërinë”.

Teksa Rama premton pasaportën europiane, qytetarët  i kërkuan  kryeministrit Rama të rishohë premtimin e pambajtur për ujë 24 orë në të gjithë Shqipërinë, që riciklohet në çdo fushatë zgjedhore prej vitesh tashmë.

“Ky popull nuk gabon, të jep ujë në bisht të lugës, i merr të keqen çdo individ që e përflet dhe flet ashtu siç thua ti. S’kemi ujë, vërtetë? Nuk kemi pasur, ishin vetëm 4 zona urbane, s’ka pasur ujë 24 orë kurrë, asnjëherë kur e morëm ne pushtetin, sot 43 zona urbane me ujë 24 orë dhe 98 rurale, e 11kantiere dhe do shkojnë në 54 zona urbane dhe pastaj mungojnë vetëm pak, shumë pak ku pjesa e banuar dhe populluar e Shqipërisë do ketë 24 orë ujë”.

Rama iu përgjigj edhe kritikave se po bullizon kundërshtarët politikë me fjalët si buf apo këneta.

“Ka ca që më shkruajnë që “po çfarë kryeministri je ti, po si merresh ti duke nxjerrë ata bufat, po si flet ti? Po çfarë të them unë? Unë nuk i them kundërshtarit as kriminel, nuk i them as hajdut, nuk i them as vrasës, nuk i them as bandit, nuk i them as kapo bandë, nuk i them as narkoman, nuk i them unë fare këto. Kanë janë përtej bullizmit, këto janë skandale etike, këto janë turpe me kanun, me ligj e me zakon. Unë nuk i përdor këto. Unë nuk hyj te familja e kundërshtarit. Më keni dëgjuar të shaj ndonjëherë familjarët e kundërshtarëve? Kurrë. Asnjëherë!”

Kryeministri Rama vijoi ironizimet me koalicionin opozitar, të cilët i quajti aleanca për kënetën madhështore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos