Zgjedhjet në Himarë, KAS rrëzon ankimin e opozitës. PD i drejtohet Kolegjit Zgjedhor

Nga Ervin Koçi
26 Gusht 2024, 12:07 | Politikë

Opozita do të vijojë betejën e ankimeve për Himarën në Kolegjin Zgjedhor pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve konfirmoi fitoren e Vangjel Tavos. Hapja e Kutive të materialeve zgjedhore dhe verifikimi i listës së zgjedhësve nuk arriti të provonte pretendimet e opozitës se gjatë procesit pati një standard të dyfishtë sa i përket votimit me karta identiteti të skaduara.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve konfirmon fitoren e Vangjel Tavos në Bashkinë e Himarës. Hapja e kutive të materialeve të votimit, kërkuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, nuk arriti të provonte në sytë e anëtarëve fakte të mjaftueshme për të shpallur pavlefshmëri zgjedhore.

Përfaqësuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ripërsëriti të njëjtat qëndrime si në dy mbledhjet e shkuara sa i takon shkeljeve të pretenduara, por për fituesit e këtij procesi këto janë thjesht justifikime për humbjen që pësuan.

Bindja e opozitës se Himara nuk kishte një proces të rregullt zgjedhor vijon, ndaj dhe ka njoftuar apelim të vendimit të KAS.

Opozita ka pesë ditë kohë për të ankimuar këtë vendim, proces i cili do të mbajë sërish të ngrirë dhënien e mandatit Vangjel Tavos pasi pa u mbyllur ankimet, nuk mund të bëhet shpallja zyrtare e fituesit.

A2 Televizion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos