Një projektligj për sponsorizimet dhe donacionet, një nismë që synon të rregullojë lehtësitë fiskale për bizneset që mbështesin kauza të ndryshme, parashikohet të kalojë shpejt në Parlament. Në lidhje përmes Skype ishte aktivisti Tanush Çaushi, i cili sqaroi se ligji ekziston që nga viti 1994 dhe ka pësuar disa ndryshime, ndërsa tani po rishikohet në kuadër të integrimit europian dhe masave kundër pastrimit të parave.
Sipas draftit të ri, sporti dhe kultura do të përfitojnë lehtësi fiskale deri në 30%, ndërsa fushat e tjera, përfshirë shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe aftësinë e kufizuar, do të mbeten në nivelin 3%. “Bëhet fjalë që këtu do të ketë një lehtësi tatimore, lehtësi fiskale për gjithë bizneset që do të sponsorizojnë dhe do të bëjnë donacione të ndryshme për evente dhe për fusha të ndryshme. Projektligji i ri ka vënë theksin te sportet dhe te kultura. Tek sportet e kultura, do të ketë lehtësim fiskal 30% për ata që japin ato biznese japin për sportin dhe kulturën. Ndërkohë të tjerat mbeten te 3%. Pra flasim në këtë rast që sporti favorizohet me 30% ndërkohë shëndeti është 3%”, tha ai.
Çaushi e cilësoi këtë diferencë si të padrejtë dhe diskriminuese, duke theksuar se shëndetësia duhet të ishte prioritet. “Kjo do të thotë që ne që nuk kemi zërin për të na dëgjuar, mbetemi me 3%, ndërsa të tjerët që janë të fortë dhe që mund të vendosin në këtë vend dhe e kanë krahun e ngrohtë, këta mund të përfitojnë 30%”, shtoi ai.
Ai solli në vëmendje faktin se shqiptarët shpenzojnë qindra milionë euro çdo vit jashtë vendit për trajtime mjekësore, para që do të mund të mbeteshin në ekonomi nëse do të investohej më shumë brenda vendit.
“Shqiptarët nuk ishin pse të merrnin avionin dhe të harxhonin shumë para dhe kohë dhe energji për të shkuar jashtë shtetit, por do e kishin këtu spitalin qoftë, edhe me lekë. Këto lekë do i mbeteshin ekonomisë sot në rastin më të keq. Pra ne po i mohojmë bizneseve, donatorëve të ndryshëm, që të investojnë në shëndetësi, që të sponsorizojnë në fushën e shëndetësisë apo dhe e aftësisë së kufizuar apo e mbrojtjes sociale”.
Aktivisti njoftoi se disa shoqata kanë krijuar një koalicion dhe kanë dorëzuar sugjerimet e tyre në procesin e konsultimit publik, duke kërkuar barazi minimale mes fushave. Qëllimi, sipas tij, është që ligji të mos shërbejë vetëm për evente, por si instrument social që përmirëson realisht jetën e qytetarëve. (A2 Televizion)