Historiania Elena Kocaqi ka ndarë një rrëfim prekës në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, duke folur për humbjen e babait të saj në moshën 80-vjeçare dhe ndikimin e thellë që kjo ngjarje ka pasur e saj. Ajo tregoi se dalja e librit të fundit u shty për shkak të gjendjes shëndetësore të të atit, i cili pësoi një aksident pranë shtëpisë dhe më pas një hemorragji cerebrale.
“Unë u përkushtova dy muaj babit me të gjitha sepse donim që ta shpëtonim. Pësoi aksident me makinë pranë shtëpisë kur doli dhe pati hemorragji cerebrale, që nuk e kaloi dot. U përpoqën shumë edhe mjekët edhe ne po nuk ja dolëm dot dhe faktikisht kjo më ka ndryshuar shumë botën mënyrën se si shoh botën më ka hidhëruar pa masë. Ndoshta është dhimbja më e madhe që kam kaluar në jetën time”, tregon Kocaqi në “Dita jonë”.
Kocaqi e përshkroi të atin si një njeri të urtë, të qetë, human dhe jashtëzakonisht të ditur, që kishte ndikuar thellë në formimin e saj. “Isha shumë e lidhur me të. Babi gjithë jetën ka qenë njeri i urtë shumë i qetë shumë human. Lexonte shumë dhe babi ka definuar shumë në atë që unë jam sot dhe unë kam humbur një mik, një shok, nuk kam humbur babin, por kam humbur atë njeri i cili më ka mbështetur gjithë jetën time dhe më ka thënë çfarë do të ndodhi në jetë, dera ime është e hapur për ty gjithmonë”, shtoi ajo.
Një nga pengjet më të mëdha mbetet fakti që babai nuk arriti ta lexonte librin e saj të ri, ndonëse e kishte kërkuar disa herë. “Babi ma kërkoi dy tre herë për ta lexuar. Unë isha në Zvicër dhe jam kthyer në datën 24 nëntor, ai më 25 ka bërë aksident dhe nuk pati kohë as që ta lexonte. Dhe më ka mbetur peng sepse nuk arriti të ma lexonte librin. Ishte ai lexuesi i parë. Më vjen shumë keq, është një humbje shumë e madhe për mua sepse unë kisha një njeri me të cilën ndaja çdo gjë”, tregon Kocaqi.
Sipas saj, humbja e njerëzve të mençur nuk është vetëm dhimbje familjare, por edhe humbje për shoqërinë. (A2 Televizion)