Teologu Miron Çako tha se përpjekja për të krijuar një Zot me inteligjencë artificiale është e rrezikshme, pasi synon të zëvendësojë besimin e përjetimin shpirtëror të njeriut.
Në një bisedë në “Dita jonë” në A2 CNN, Çako tha se ndërtimi i “zotave” artificialë është vazhdim i prirjes së vjetër njerëzore për të konkurruar Zotin dhe për të shmangur ligjin moral. “Vetëm Zoti krijon nga hiçi. Kurse neve jemi krijesa të krijuara që në qoftë se ne kërkojmë të krijojmë diçka duhet të marrim disa elementë. Por natyra njerëzore është një natyrë e sëmurë duke filluar që nga mëkati stërgjyshor i Adamit, që kërkon të bëhej Zot pa Zotin ose të konkurronte Zotin. Edhe gjithë teknologjia po ta shikoni në gjithë historinë është një tentativë e njeriut që ai të marri fuqi mbinatyrore të kalojë kufijtë e tij derisa të konkurrojë Zotin”, tha Çako.
“Edhe sot kjo një teknologji që duket shumë fantashkencë, por që sot është realitet, nuk është gjë tjetër veç një lloj kulti. Pra të matemi me Zotin derisa aty që të krijojmë dhe një Zot tonin. Njeriu është një qenie metafizike. Volteri i thoshte, edhe pse ishte ateist, se në qoftë se Zoti nuk do ekzistonte ne do ta krijonim atë. Kështu që tentativa e njeriut është gjithmonë të krijojë një Zot. Sepse nuk mund të rri pa zot. Sepse është i krijuar. E ndjen që është, nuk është autonom, është i varur. Por ai i kërkon Zotit që t'i përshtatet atij. Zoti nuk na përshtatet ne në kuptimin që vjen sipas orekseve tona. Zoti ka ligjin, ka ligjin moral dhe ai ta jep atë ligj dhe ti duhet ta zbatosh siç i ka dhënë dhe ligjet e natyrës”.
Teologu tha se përpjekja për një Zot me AI mund të bëhet trend, një lloj feje e re siç u bë dhe ufologjia. “Kemi ardhur nga alienët sot është një lloj feje, që besojmë se nuk ka ekzistuar Zoti, por kanë ardhur këto qenie jashtëtokësore në një kohë të caktuar të primitivitetit tonë dhe nga njerëzit e lashtë nuk dinin si je t'i jeni përgjigje thanë këta janë Zoti. Ufologji”, tha Çako. “Sot kemi një lloj tjetër feje ë me AI, që edhe kjo do të na krijojë. Patjetër është krijuar nga njeriu. Deri ku do shkojë kjo? Pikërisht kjo mund të kthehet në një bumerang që mund të luftojë vetë njeriun, të konkurrojë njeriun dhe të prishë dhe atë që është bazamenti i qenies njerëzore, besimi në Perëndinë. Në qoftë se njeriu nuk beson Perëndinë, atëherë njeriu nuk është më njeri. Duket se po luajnë jo vetëm me besimin, por luajnë me Zotin. Nuk është kaq e thjeshtë kjo. Shiko sot në botë siç e shikojmë edhe në jo vetëm në aspektin moral. Sot në botë ka mendje shumë të errëta të cilat nuk e besojnë ekzistencën e Perëndisë ose e luftojnë Perëndinë. Sepse janë lidhur me të ligun themi ne dhe këta kërkojnë ta konkurrojnë Zotin. Prandaj nuk është kaq e thjeshtë, është strategji. Strategji që njerëzimin ta heqin nga Perëndia ose Zoti i vërtetë dhe ta çojë në një zot të rremë”. (A2 Televizion)