“Me mesatare mbi 6.5 mund të aplikoni”, mësuesja tregon kushtet që duhen plotësuar

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2026, 09:13 | Sociale

Procesi i aplikimit për maturën shtetërore dhe përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje ka nisur zyrtarisht, duke sjellë një sërë pikëpyetjesh për maturantët dhe prindërit. Në një intervistë për emisionin Dita Jonë, mësuesja Etleva Doka shpjegoi në detaje hapat që duhet të ndjekin nxënësit dhe kriteret që duhen plotësuar për të vijuar drejt arsimit të lartë.

Mësuese Doka theksoi se një nga kushtet bazë për të aplikuar në universitet është mesatarja mbi 6.5. “Është kusht i domosdoshëm që nxënësit të kenë një mesatare mbi 6.5 për të qenë pjesë e konkurrimit universitar. Pa këtë prag, sistemi nuk e lejon aplikimin”, u shpreh ajo, duke sqaruar se kjo vlen si për maturantët aktualë, ashtu edhe për ish-maturantët që kërkojnë të rikthehen në garë.

Sipas saj, nxënësit duhet të tregojnë kujdes të veçantë në zgjedhjen e lëndës me zgjedhje, pasi ajo ndikon drejtpërdrejt në rezultatin final dhe në shanset për t’u pranuar në degën e dëshiruar. Aktualisht, lënda më e preferuar mbetet ekonomia, e ndjekur nga sociologjia dhe psikologjia, ndërsa biologjia mbetet dominuese për ata që synojnë mjekësinë.

Doka vuri në dukje se inxhinieritë dhe teknologjia e informacionit janë kthyer në degët më të kërkuara, me konkurrencë shumë të lartë, ndërsa interesimi për degët e mësuesisë dhe shkencave ekzakte ka pësuar rënie.

Ajo këshilloi maturantët të mos ndikohen nga zgjedhjet e shokëve apo presioni i prindërve, por të marrin vendime realiste, bazuar në aftësitë e tyre, interesat personale dhe kërkesat e tregut të punës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos