Ndërsa shumica e njerëzve mendojnë ende si t’i shpëtojë të nxehtit që ka pushtuar vendin këtë verë, amvisat e Voskopojës kanë nisur përgatitjet për stinën e dimrit.
Jorgjinë dhe Lirikën i gjejmë në pragun e oborrit duke përgatitur petkat, një nga ushqimet që përfshin zahiret që përgatiten për dimër.
E ndërsa në zonat e tjera malore, kur dimri fillon shpejt dhe ikën vonë, në fshatin turistik të Voskopojës, zahiret përgatiten edhe për vizitorët e shumtë që nuk mungojnë as në stinën e dimrit dhe për këtë amvisat kanë nisur që tani nga puna për të përballuar kërkesat e shumta që kanë.
Në Voskopojë e kanë kuptuar që përveç trashëgimisë kulturore me kishat e vjetra dhe natyrën e mrekullueshme, një pjesë e kënaqësisë së vizitorëve janë edhe ushqimet dhe për këtë arsye ato po përpiqen që gatimet tradicionale t’i trashëgojnë, por brezi i ri nuk duket dhe aq i interesuar.
Në fakt, restorantet në Voskopojës që tani kanë filluar të hasin vështirësi në sigurimin e ushqimeve tradicionale të zonës, pasi nga vit në vit sasitë e prodhuara nga amvisat po bëhen më të pakta. (A2 Televizion)