Tentativat e popullatës dhe kryesisht e të rinjve që gjendjet e ankthit, depresionit apo gjendjet e forta emocionale t’i trajtojnë me medikamente të blera në farmaci, pa u konsultuar me mjekun apo psikologët, po shkaktojnë problematika serioze, të krahasueshme me ato që shkaktojnë varësia nga përdorimi i lëndëve narkotike.
Një fenomen i tillë haset edhe në qytetin e Elbasanit. Por, çfarë janë barnat që njerëzit i blejnë rëndom pa receta në farmaci për të stabilizuar gjendjen e tyre emocionale?
Minga Matraku, mjeke toksikologe, shprehet për A2 CNN: “Përdoren barna me potencial të lartë adiktiv. Njihet risku i tyre për abuzim dhe varësi që përshkruhet si më e keqe se varësia nga heroina”.
Por, çfarë shkaktojnë në të vërtetë përdorimi i këtyre barnave pa përshkrimin e mjekut, përtej qetësimit që duket në pamje të parë?
“Dëmton direkt përqendrimin, kujtesën dhe ekuilibrin”, shpjegon Matraku.
Për mjeken, personat që kanë probleme me ankthin dhe emocionet duhet të konsultohen pikësëpari me psikologët, pasi trajtimi me barna nuk është zgjidhja e problemit të tyre. Mjekja apelon jo vetëm qytetarët që të mos përdorin medikamente pa konsultim me mjekun, por apelon edhe farmacistët që nuk duhet të japin ilaçe që mund të krijojnë varësi te pacientët pa recetat e mjekut. (A2 Televizion)