Ndonëse ligji u njeh një mori të drejtash dhe detyrimesh që duhet të përmbushen nga institucionet shtetërore por jo vetëm, sërish personat me aftësi të kufizuara në qytetin e Vlorës nuk po përfitojnë asgjë nga parashikimet e ligjit. Madje ata kanë vështirësi elementare që kanë të bëjnë me aksesin në shërbimin urban, lëvizjen në qytet dhe aksesin në institucionet shtetërore lokale.
Në pamundësi për të protestuar apo ndjekur në rrugë gjyqësore respektimin e të drejtave të tyre të parashikuara në ligj, kryetari i shoqatës të para dhe tetraplegjikëve të Vlorës ka bërë apel nëpërmjet medias që bashkia të angazhohet për të zbatuar të drejtat legjitime dhe elementare.
Një nga këto problematika është udhëtimi falas në urbanët e qytetit për këtë kategori dhe natyrisht krijimin e kushteve me rampa që të përdorin shërbimin urban.
Në fakt kjo shtresë e shoqërisë është privuar edhe të lëvizë në rrugët e qytetit apo të shkojnë në institucionet shtetërore, pikërisht për shkak të mungesës së rampave, që është detyrimi më minimalist që ligji parashikon për këtë shtresë.
Në fakt këto problematika janë trajtuar dhe denoncuar edhe herë të tjera por në asnjë rast nuk ka patur një reagim nga institucionet që kanë detyrimin për ti zbatuar. (A2 Televizion)