“Gjyshja i dha modeles bukën e ngrohtë, të vetmen që kishte", gjesti emocionues i të moshuarës

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2026, 10:40 | Sociale

Në rrjetet sociale ka qarkulluar një video ku shihet një nënë që i fal bukën e vet modeles Emina Çunmulaj, pasi ajo kishte shkuar për ta ndihmuar bashkë me aktivistin Mirsad Basha, i cili ndërmerr shpesh nisma për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë.

Në një lidhje me studion e “Dita Jonë” në A2CNN, aktivisti Basha shpjegoi: “Janë gjëra që ndodhin shpesh sepse këto familje janë at që kanë më shumë shpirtin plot, edhe pse familjet e tyre janë të varfra,

por gjithmonë gjejmë kështu gjyshesh që na presin në këtë mënyrë. Ne nuk shkojmë faktikisht tek shtëpiat e tyre brenda, por kur futemi nuk na lënë të dalim, duke ofruar zemrën e tyre, shpirtin, bukën e tyre dhe ky ishte një prej atyre rasteve. Normalisht na preku”, tha aktivisti.

“Video është bërë në Shkodër, në fshatin Ndrisht. Është një fshat i cili ka njerëz fantastikë, të mrekullueshëm, të cilët ne i ndihmojnë shpesh. Po aty ka disa familje dhe ne shkuam me disa pako ushqimore, me anë të Emina Çunmulajt, me anë të fondacionit të saj, e cila prej vitesh ndihmon këta shtresa. Kur vjen në Shkodër, gjithmonë kontakton me mua për të shkuar te këto familje dhe shpërndan ushqime. Është një zonë faktikisht që nuk ka rini, por ka më shumë mosha të tilla dhe mundohemi të mos i lëmë vetëm. Në këtë rast, Emina pa diçka në tokë dhe e pyeti nënën se çfarë ishte. Nëna i tregoi se ishte buka që kishte bërë vetë dhe ia dhuroi të gjithën. Ajo nënë nuk kishte asgjë dhe bukën e vetme që kishte, donte t’ia dhuronte njerëzve që e vizituan. Ishte një emocion shumë i bukur dhe më vjen shumë mirë që ky mesazh u përhap, për të kuptuar se si janë njerëzit realisht dhe se sa duhet të shkojmë ne te njerëzit”, shtoi aktivisti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos