“Drejtorët me perkrahje politike”, revolta e aktivistes

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2026, 09:35 | Sociale

Aktivistja Suela Koçibellinj, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” me Bora Shahinin dhe Rei Bezhanin, në A2CNN u shpreh se “një pjesë e mirë e drejtuesve të shkollave kanë përkrahje politike”.

“Një pjesë e mirë e drejtuesve të shkollave kanë përkrahje politike dhe kjo krijon frikë tek mësuesit që thonë “do më prishë punë, do më kërcënojë, do më japë orë ekstra, nuk do më tolerojë për diçka…”. Realisht krijohet një situatë e vështirë dhe krijohet një frymë jo bashkëpunimi mes drejtuesit edhe stafit. Patjetër që ka dhe drejtues të mirë. Megjithatë, shpesh herë gjërat nuk funksionojnë kur nga koka e institucionit nuk bëhen gjërat mirë. Që aty, kur ka neglizhencë, unë jam e bindur që dhe këta prindër e kanë ngritur zërin për këta fëmijë, por nuk janë dëgjuar dhe pastaj përfundojnë me këto mekanizmat e tjerë. Mësuesit vetë nuk flasin, askush nuk flet. Fëmijët duhet t'i mbrojmë të gjithë, pa përjashtim. Fëmijët vetë nuk kanë vendimmarrje”, tha Koçibellinj.

“Faleminderit fëmijëve që flasin dhe këto raste po zbulohen dhe po denoncohen në Tiranë, sepse në Tiranë fëmijët dinë pak më shumë dhe tashmë ka një lloj përkrahje më të madhe sesa në rrethina dhe në qytetet e tjera që janë më të vogla, që shumica kanë tezen në shkollë, kanë familjarët e tyre në shkollë dhe nuk flasin edhe për arsye të tjera fëmijët. Ndërkohë, në Tiranë është pak më ndryshe dhe kanë më shumë kurajo për të folur. Prandaj po denoncohen në Tiranë këto raste. Por, të tilla realitete janë kudo”, shtoi aktivistja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos