Neuropediatrja Migena Bedeni Kika, e ftuar në studion e “Dita Jonë” me Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, deklaroi se autizmi nuk shkaktohet nga teknologjia.
“Nuk janë ekranet, nuk është teknologjia që shkakton autizëm apo problematika me zhvillimin. Nuk ka autizëm virtual, nuk ka autizëm të fituar nga ekrani. Ekranet ndikojnë, ekranet heqin kohë në të cilën fëmija mund të merret dhe duhet të merret me aktivitete të tjera. Teknologjia çrregullon gjumin, mund t'i japë problematika të obezitetit, ka problematika me pjesën e shikimit. Mund të ketë problematika deri diku në pjesën e zhvillimit konjitiv apo zhvillimit gjuhësor. Por, një vonesë gjuhësore e konsiderueshme, çrregullime në neurozhvillim, vonesë të zhvillimit konjitiv apo problematika të tjera të zhvillimit të fëmijëve nuk vijnë për shkak të ekraneve dhe kryesisht autizmi, sepse nëpër rrjete sociale pafund kryesisht në Shqipëri, ka marrë dhenë ky termi autizëm virtual dhe prindërit në një farë mënyre qetësohen sepse thonë e kam lënë para ekraneve, t'i heq ekranin dhe nuk është më me autizëm. Është diçka më e thellë se kaq”, tha neuropediatrja.
“Nuk e dimë akoma kush e shkakton autizmin. Është një çrregullim multifaktorial. Pra, ka shumë faktorë që janë në lojë, por nuk janë ekranet dhe nuk është teknologjia një nga faktorët e rrezikut për të zhvilluar autizëm apo çrregullimet e neurozhvillimit. Teknologjia mund të pengojë zhvillimin e disa aftësive bazike që po fillojnë e po i humbin fëmijët, po fillojnë e po i humb ky brez, por absolutisht që jemi në një mendje që nuk ka autizëm virtual dhe dua ta theksoj me të madhe këtë pjesë. Ose ka autizëm ose nuk ka autizëm”, shtoi Migena Bedeni Kika. (A2 Televizion)