“Pini 2 litra çaj mali në ditë”, mjeku tregon sekretin për të luftuar gripin

Nga A2 CNN
28 Janar 2026, 09:14 | Sociale

Mjeku Petrit Vargu këshillon që të konsumohet sa më shumë çaji i malit në këtë periudhë, në mënyrë që të luftohet gripi. Në një intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN, Vargu shpjegoi se përdorimi i antibiotikëve, sidomos pa rekomandimin e mjekut, është gabim i rëndë. “Gripi nuk mjekohet me antibiotikë. Antibiotikët përdoren vetëm në rast komplikacionesh bakteriale dhe vetëm me vlerësim mjekësor. Ajo që rekomandohet është përdorimi i antiviralëve në dy ditët e para, sepse ulin ngarkesën virale”, tha ai.

“Çaji është antiinflamator i shkëlqyer. Çaji i malit është ndër më të mirët, po ashtu sherebela. Duhet pirë në temperaturë ambienti, jo shumë i nxehtë. Idealja është deri në 2–2,5 litra në ditë, nëse nuk ka kundërindikacione shëndetësore”.

Vargu shpjegoi gjithashtu se gripi që po qarkullon në vendin tonë është grip sezonal. “Shpesh përdoret gabimisht termi “virozë”, por nuk është e saktë. Virozat kanë simptoma shumë më të lehta krahasuar me gripin. Gripi sezonal, që zakonisht shfaqet në Shqipëri nga janari deri në mars, është sëmundja virale më e rëndë respiratore që kalojmë gjatë vitit. Transmetohet në mënyrë aerogjene dhe ka një ngarkesë të lartë simptomash”, u shpreh ai.

“Simptomat janë të ngjashme me virozat, por shumë më të theksuara: Bllokim i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, bllokim i hundës, dhimbje veshi, dhimbje koke shumë e fortë, dhimbje muskulore intensive, temperaturë e lartë. Cikli i sëmundjes zgjat rreth pesë ditë, me kulmin e simptomave zakonisht ditën e tretë. Temperatura mund të shkojë deri në 40-41 gradë, sidomos te personat që nuk janë vaksinuar”.

Sipas tij, gripi është më shumë agresiv këtë vit. “Sepse shumë njerëz janë të pambrojtur”, tha ai. “Pas izolimit gjatë Covid-19, trupi ynë humbi ekspozimin ndaj gripave të tjerë dhe rrjedhimisht antitrupat. Covid-19 ishte “luani” i virozave, dhe gjatë asaj periudhe qarkullimi i viruseve të tjera u ndërpre. Tani, këto vite të fundit, gripi është rikthyer shumë agresiv. Nuk kemi kulturë vaksinimi. Propaganda gjatë Covid-19 dëmtoi besimin ndaj vaksinave. Vaksina e gripit duhet bërë në tetor–nëntor, jo tani. Ajo krijon antitrupa specifikë ndaj variantit që pritet të qarkullojë. Aktualisht vaksinimi nuk ka më efekt mbrojtës për këtë sezon”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos