Autor i 10 ikonostaseve, artizani që sfidoi pengesat për të gdhendur drurin

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
28 Dhjetor 2024, 11:20 | Sociale

Të bësh drurin të flasë nëpërmjet gdhendjes së tij, është më shumë se sa art. Është pasion dhe natyrisht punë dhe përkushtim.

Këto punime druri të bëra me dorë janë vepër e mjeshtrit të gdhendjes se drurit, Ziso Musha, i vetmi nga familja që trashëgoi denjësisht këtë profesion. Sot në moshën 68 vjeçare ai ka gati 55 vite që i është përkushtuar këtij zanati.

Këto punime kanë nga pas vite të tëra sakrifice dhe sfida, sa me kushtet e familjes, aq edhe me pamundësinë për të ndjekur shkollën përkatëse. Por në fund pasioni tejkaloi çdo pengesë.

“Gdhendjen e drurit ne e kemi pasur si trashëgimi në fisin tonë, edhe ka ecur në breza. Unë fatmirësisht e pata fatin që xhaxhai im ishte një mjeshtër i drurit. Sa vinte pasdite, shkoja, kur do bijë ai thosha, që unë të vete të shoh., Shikoja ato mjetet dhe më hyri si në gjak. Fillova dhe me vizatime kur kam qenë i vogël. Duke qenë edhe larg Fieri me Portzën, ikja në këmbë në Fier, shkoja në kurs vizatimi që në atë kohë, flas për ’66. Në pamundësi për të vajtur në shkollë të lartë për skulpturë, unë me përkushtimin tim them se e arrita atë që doja, pavarësisht se mbeta autodidakt. Këtu kam bërë rreth 10 ikonostase kishash në Shqipëri, punime dore.”

Sot numërohen me gishtat e njërës dorë zanatçinj të tillë në të gjithë vendin, dhe për Zison është fatkeqësi që brezi i ri po orientohet drejt emigrimit pa marrë asnjë zanat.

“Bashkitë të jenë të interesuara në këto profesione që janë gati në zhdukje. Një jam në Fier unë, me kokrra, një në Korçë, ku mund të gjejmë ndonjë në Krujë, një në Gjirokastër. Dhe po iku ky brez krijohet një hendek, një shkëputje. E ke derën të hapur kudo, po more një profesion, je i nderuar, je i zoti vetes. Unë shikoj që fëmijët tanë po ikin jashtë pa një profesion.”

Me brengën që shumë pak artizanë të brezit të tij janë të fundit në punimin e drurit, Ziso nuk resht të kërkuari edhe nga pushteti lokal dhe institucionet shtetërore që ti orientojnë të rinjtë drejt punimeve artizanale, pasi janë zanate që i kanë mbijetuar çdo kohe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos