Bardha e Sarandës shijon famën nga reklama me Muçin

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
30 Korrik 2025, 14:59 | Sociale

Në një video të realizuar dy javë më parë, në zbatim të urdhërit të kryeministrit Edi Rama për të mos lejuar më shitjen pa faturë edhe në tregjet e fruta-perimeve, u bë e njohur Bardha e tregut të Sarandës, por edhe Muçi, inspektori lokal.

E ndërsa Muçi ka refuzuar të jetë sërish në publik nëpërmjet mediave, Bardha është më e hapur, shkruan A2.

Por, cila është Fatbardha Nesturi, një nga shitëset më të vjetra të tregut në Sarandë?

“Unë kam 35 vjet këtu. Kjo është punë vetëm për Bardhën. Dita ime nis në 4 të mëngjesit, grumbulloj mallin nga fshatarët që e sjellin, e sistemoj...”, tregon Bardha.

Atëherë e frikësuar për vazhdimësinë e punës së saj me të cilën mban familjen, sot Bardha duket se po shijon famën e fituar nga ajo video virale. Famë e cila jo vetëm e bëri të njohur, por mesa duket i ka shtuar edhe punën: “Falenderoj njerëzit për mbështetjen. Mua më njihnin edhe më parë, por tani jam e famshme me vulë. Është rritur goxha puna ime. Mallin që nxjerr në mëngjes, e kam shitur deri në darkë”.

Bardha flet edhe për marrëdhënien që ka me bashkëqytetarin e saj, inspektor Muçin: “Është njeri shumë i mirë, jemi miq të mirë, jemi takuar shpesh dhe i flasim gjithmonë njëri-tjetrit në qytet”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos