Temperaturat e larta, shtohen vizitat dermatologjike në Korçë

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
23 Korrik 2025, 15:24 | Sociale

Temperaturat e larta të kësaj vere po japin ndikimet e veta edhe ne qytete që mbahen si më të freskëta siç është Korça.

Në poliklinikën e qytetit juglindor këto ditë janë rritur ndjeshëm vizitat tek mjekët dermatologë, ku paraqiten qytetarë me shqetësime të ndryshme.

“Gjithmonë në periudhën e verës ne kemi raste të shtimit të problematikës së lëkurës. Dhe kjo vihet re në të gjithë popullatën, sepse dermatologu i mbulon që nga të rinjtë, fëmijët dhe të moshuarit. Ne vëmë re infeksione të lëkurës te fëmijët e vegjël, probleme të alergjisë ose dermatitit të kontaktit tek të rinjtë, pasi shtohet ekspozimi dhe riakutëzim të problemeve të të sëmurëve kronikë te moshat e vjetra. Mesatarisht kemi 20, 30, 40 vizita në ditë, varet...”, tha për A2 CNN, Laura Ramonllari, mjeke dermatologe në Korçë.

Mjekja jep edhe këshillat për popullatën veçanërisht gjatë ditëve të nxehta.

“Sa më pak ekspozime., jo në vende të pakontrolluara, higjiena duhet të shtohet në këto raste, të jemi të kujdesshëm dhe mbrojtja nga piku i rrezeve ultravioletë, pra nuk rekomandohet të dilet nga ora 11:00 deri në 16:00”, shtoi mjekja Ramonllari.

Gjithashtu mjekët apelojnë që pacientët të kenë kujdes edhe me preparatet që përdorin përlëkurën në rastet kur nuk u rekomandohen nga mjekët specialist. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos