Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre do të marrin ca para më tepër nga viti i ardhshëm.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon që në buxhetin e vitit 2026 të përfshihen 50% më tepër para për këtë kategori: “Rritje e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuar në masën 50% për 10 252 fëmijët dhe 3 527 kujdestarët e tyre (me një masë mesatare aktuale 12,200 lekë/muaj në 18.300 lekë/muaj). Efekti për këtë ndryshim 1 miliardë lekë”.
Por, përfitimet nuk mbarojnë këtu. Ministria ka propozuar edhe njohjen e periudhës kontributive për 13 100 kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara, bazuar mbi pagën minimale të pritshme për vitin 2026 që është 50 mijë lekë. Kjo do të thotë se vitet që ata kanë kaluar duke kujdesur për fëmijët apo familjarët e tyre do të vlejnë për pensionin e pleqërisë: “Njohja e periudhës kontributive për rreth 13,100 kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar mbi pagën e pritshme minimale 50,000 lekë me një efekt financiar 2.2 miliard lekë, ndërkohë do të përballohet nga tavanet aktuale rishikimi i masës së kontributeve për rreth 5,500 kujdestarët e invalidëve paraplegjik dhe tetraplegjik pas ndryshimit të pagës minimale në Janar 2026.”
Këto masa, sipas Ministrisë, nuk kërkojnë fonde shtesë përtej tavaneve aktualë buxhetorë. Por për qindra familje në nevojë, ato mund të përkthehen në një lehtësim konkret të barrës ekonomike dhe në një njohje të vonuar të punës së heshtur që bëjnë çdo ditë. (A2 Televizion)