Rrugëtimi i gjatë dhe jo pak i lodhshëm i maturantëve fitues është mbyllur me sukses. Tashmë, ata po zyrtarizojnë hyrjen në Universitete për degët e preferuara.
Shkollat e larta kanë hapur regjistrimet, ndërsa fituesit po bëjnë zgjedhjet e tyre edhe mes shumë degëve të fituara. Një ndër to është mjekësia e Përgjithshme, ku shumë të rinj, që në ditët e para të regjistrimeve kanë nxituar të firmosin hyrjen e tyre në këtë program studimi.
Ditët e paratë regjistrimeve shfrytëzohen nga ata të rinj që nuk kanë dilema për zgjedhjen e shkollës së lartë pavarësisht numrit të degëve të fituara, shkruan A2 CNN.
Mes dëshirave të prindërve dhe pasionit të tyre, zgjedhin këtë të fundit. Raundi i parë i regjistrimeve në universitete do të vijojë deri më 13 shtator. Përmes shtatë fazave të këtij procesi shkollat e larta, veçanërisht programet më të kërkuara, pritet të plotësojnë kuotat. Lëvizjet e listave vijojnë edhe në raundin e dytë, ku të rinjtë e çregjistruar apo ata që s’kanë arritur të fitojnë mund të dalin fitues për një nga programet që kanë aplikuar, transmeton televizioni A2 CNN.
19700 maturantë aplikuan këtë vit në Universitetet shqiptare publike dhe private. Ndërsa më 7 tetor nis viti i ri akademik dhe rrugëtimi i tyre i ri, tashmë si studente (A2 Televizion)