Të dhënat e siguruara nga gazetarja Arestina Skënderi tregojnë se gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme e papunësisë së regjistruar për personat me aftësi të kufizuara (PAK). Sipas shifrave zyrtare, numri i tyre ka arritur në 3462 persona, duke përbërë nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit. Krahasuar me vitin 2024, kur ishin të regjistruar 3130 persona, vihet re një rritje e mëtejshme e numrit të PAK që rezultojnë të papunë.

Ky raport për vitin 2025 është përdorur edhe në emisionin “Sepse” në A2 CNN, ku u trajtua rasti i një vajze me aftësi të kufizuara, e cila prej dy vitesh priste të punësohej, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse. Rasti i saj solli në vëmendje vështirësitë reale me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në tregun e punës.

Megjithatë, paralelisht me rritjen e papunësisë, evidentohet edhe një shtim i përfituesve nga programet aktive të punësimit. Gjatë vitit 2025, 741 persona me aftësi të kufizuara kanë përfituar nga këto programe, shifra më e lartë në krahasim me vitet e mëparshme. Nga këta, 242 persona kanë qenë pjesë e programeve të nxitjes së punësimit, 266 janë punësuar, ndërsa 233 kanë ndjekur formim profesional. (A2 Televizion)