Drejtoresha e shkollës “Fan Noli” nuk lejon vendosjen e stolit në kujtim të Martin Canit

Nga Armend Pire
24 Shkurt 2026, 15:38 | Sociale

Një stol ishte planifikuar të vendosej këtë të martë pranë shkollës “Fan Nli” në nder dhe në kujtim të Martin Canit, 14-vjeçarit i cili humbi jetën tragjikisht afro 15 muaj më parë. Prindërit e Martinit, së bashku me aktivistët erdhën pranë shkollës me një vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës si dhe zyrës arsimore për të vendosur këtë stol pranë ambienteve të shkollës, por që u refuzuan të hynin nga ana e drejtoreshës, e cila pretendon se nuk ka një leje të posaçme për vendosjen e këtij stoli në kujtim të Martinit, shkruan A2 CNN.

“Jemi jo vetëm të zhgënjyer, por edhe të indinjuar që drejtoresha e shkollës, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë konkrete pas ngjarjes tragjike të vrasjes së Martin Canit, por nga ana tjetër zvarrit edhe pengon vendosjen e një stoli që do ishte në të mirë të të gjithë shkollës. Jo vetëm për kujtimin e një nxënësi të ndjerë tanimë, por edhe për ndërgjegjësimin e të gjithë atyre nxënësve të tjerë të cilët mundet për fat të keq të jenë ndoshta dhunues dhe viktima në të ardhmen”, thotë Sidorela Vatnikaj, aktiviste.

“Ne nuk mund ta fshehim atë ngjarje, po përkundrazi duhet ta përdorim atë ngjarje për të sensibilizuar sa më shumë nxënës. Edhe këto nxënës kanë nevojë të sensibilizohen edhe përmes këtij stoli që do vendoset në një ditë shkolle. Nuk mund të vendoset ditë të shtunë, vjedhurazi dhe fshehurazi. Sepse ne në fakt, këtë po e bëjmë për nxënësit, po e bëjmë për shkollën edhe po e bëjmë si një farë mesazhi publik ndaj të gjithë prindërve dhe nxënësve të Republikës së Shqipërisë dhe kjo nuk mund të bëhet në një ditë të shtunë apo të diel, në momentin që këtu nuk ka asnjë njeri”, thotë aktivisti Edison Lika. “Ne do të luftojmë që ajo që ky stol të vendoset në ambientet e shkollës. Nuk është e rëndësishme tani më ditë të shtunë apo të hënë, por ama do të luftojmë deri në pikën e fundit që ky stol të vendoset dhe të shërbejë si një farë reflektimi për të gjithë shoqërinë tonë”.

E deri kur ky debat të përfundojë, stoli në nder dhe në kujtim të Martin Canit do të qëndrojë përpara hyrjes së shkollës “Fan Noli”, aty ku prindërit presin që të marrin fëmijët pas orarit mësimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos