Detektivja Shkënda Lili, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, u shpreh se ka shumë raste që femrat nuk divorcohen edhe pse dhunohen sistematikisht, pasi nuk kanë mbështetjen e prindërve të tyre.
“Ka prindër që nuk i mbështesin fare, edhe nëse vajza dhunohet sistematikisht. I thonë “e ke marrë, je martuar, tani duhet të qëndrosh dhe duhet të durosh”. Kam shumë raste që më kërkojnë ndihmë, më thonë “çfarë të bëj, si të largohem, si t'ia shpjegoj prindërve që unë dhunohem, unë tradhëtohem sistematikisht, bashkëshorti im ka një grua tjetër”. Se janë dhe këto martesat që njëri partner jeton jashtë shtetit dhe gratë i lejnë me prindërit e tyre. Ndërkohë, ai ka krijuar një jetë komplet tjetër atje. Thjesht vjen një herë në vit në familjen e tij dhe ato i kanë dhe faktet dhe prapë prindërit nuk e mbështesin vajzën. Kanë atë mendimin që je martuar dhe është turp nga njerëzit dhe nga fisi”, tha detektivja.
(A2 Televizion)