Artriti reumatoid është një sëmundje kronike autoimune që shkakton inflamacion, dhimbje dhe ënjtje të kyçeve, dhe nëse nuk trajtohet në kohë mund të çojë në dëmtime dhe deformime të përhershme. Më shpesh prek gratë mes moshës 40–60 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha më të reja. Mjekët reumatologë theksojnë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kryerjes së analizave që në shenjat e para të dyshimta. E ftuar në emisionin “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, Dr. Joana Hankollari nga Poliklinika Amavita shpjegon ekzaminimet dhe qasjen multidisiplinare në diagnostikim.
“Për artritin reumatoid në poliklinikën Amavita realizohen të gjitha ekzaminimet laboratorike që ne na nevojiten për të vendosur diagnozën, qoftë këto specifike, imunologjike, qoftë këto ekzaminime të përgjithshme. Realizohet ekografia artikulare. Tashmë nuk flitet më përdorim të radiografisë kur vjen puna për diagnozën e artritit reumatoid edhe pse ne disponojmë edhe radiografinë por ekografia artikulare është shumë e rëndësishme sepse na tregon dhe prani të likidit të elementeve inflamatore apo të sinovitit në artikulacione me anë të cilën ne vlerësojmë dhe aktivitetin e sëmundjes dhe mbi të gjitha unë aty kam prezent të gjithë kolegët qoftë mjekun kardiolog qoftë pneumolog për të gjitha rastet kur unë dyshoj që kjo patologji mund të ketë bërë dhe prekje të organeve të tjera pra bëhet një punë në ekip” - tregoi mjekja reumatologe, shkruan A2.
Trajtimi i artritit reumatoid ka evoluar ndjeshëm me avancimin e mjekësisë dhe diagnostikimit të hershëm. Sot, baza e trajtimit janë barnat modifikuese të sëmundjes, të cilat synojnë të kontrollojnë aktivitetin e sistemit imunitar dhe të ngadalësojnë progresionin e sëmundjes.
Kortikosteroidet përdoren kryesisht për kontrollin e inflamacionit në periudha të caktuara, ndërsa terapitë moderne biologjike përdoren në raste të përzgjedhura sipas protokolleve mjekësore.

“Linja e parë e trajtimit në fakt janë imunosupresorët, ndryshe nga vite më përpara që filloi me antiinflamatoriosteroid, ato që ne njohim, buprofeni, naprokseni, sepse është vënë re që në momentin që është vendosur diagnoza, nëse ne fillojmë me një terapi që është specifike në sensin që në bazë kemi autoimunitetin dhe na duhet që të ulim këtë mbireagim që po bën sistemi imunitar në organizmin e pacientit, atëhereë edhe shkalla e invaliditetit dhe shkalla e prekjes së organeve do të jetë shumë herë më e ulët. Për kortizonin do të theksoja që është pjesë e trajtimit të sëmundjeve reumatizmale, por nuk duhet menduar si pjesë e pandashme e terapisë, sepse kur vjen puna te glukokortikoidët edhe ne në protokoll e kemi që duhet t'i përdorim për një kohë sa më të shkurtër të jetë e mundur. Gjithmonë do të jetë me terapi mjekësore pacienti, është patologji kronike gjatë gjithë jetës. Sa më mirë të reagojë pacienti ndaj terapisë, më pak barna ne përdorim. Në doza më të ulëta ne përdorim.” –shpjegoi mjekja.
Si në shumë sëmundje, edhe për artritin reumatoid ekzistojnë mite të përhapura në popullatë. Një prej tyre është përdorimi i nxehtësisë mbi kyçet e inflamuara. Në fakt, në fazat akute të inflamacionit, mjekët shpesh rekomandojnë të kundërtën, pasi nxehtësia mund të përkeqësojë simptomat. Mjekët theksojnë gjithashtu rëndësinë e shmangies së trajtimeve alternative pa këshillë mjekësore dhe ndjekjen e terapive të rekomanduara nga specialisti.
“Së pari që janë sëmundje të lehta dhe nuk përbëjnë rrezik për jetën, nuk është e vërtetë. Kur flasim për sëmundje autoimune, sikurse artriti reumatoid bën prekje organore, ne kemi dhe shumë sëmundje të tjera si sklerodermia sistemike apo lupusieritematoz sistemik që nëse nuk trajtohen në kohë, nëse nuk menaxhohet ashtu siç duhet, patjetër që kanë një risk shumë të lartë për t'u komplikuar dhe një risk edhe për të për të patur vdekshmëri. Një mit tjetër është që reumatizma del me të ngrohtë. Për shembull, shpesh herë ne na vijmë pacientë të komplikuar në periudhën e plazhit sepse zhyten në atë rërën e nxehtë. Artikulacionet që janë të inflamuara në terren të një sëmundje autoimune apo të artritit reumatoid, përkundrazi duan kompresa me të ftohta, nuk duan të nxehtën. Trajtimi pastaj me barna popullore duhet thënë që ajo është një sëmundje autoimune dhe kërkon trajtimin specifik me imunosupresor.” – shtoi reumatologia.
Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)